Mustafa: Pavarësisht epilogut të mocionit, jemi fitues

0
81

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se pavarësisht se si do të votohet sot mocioni i iniciuar nga opozita për rrëzimin e Qeverisë, do të dalin fitues.

“Na kanë gjuajtur me vezë dhe me gurë, nuk kemi banda që na mbrojnë, ne i nënshtrohemi institucioneve, dhe po përfundoj, pa marrë parasysh epilogun, ne do të dalim fitues, jemi të pastër dhe të drejtë”.

Ai ka numëruar radhazi disa nga sukseset e Qeverisë por duke i lënë në faj deputetët, njofton Klan Kosova.

“Qeveria ka miratuar marrëveshjen për Demarkacionin, ka ndërmarrë reformat e duhura, ka aprovuar Programin Kombëtar të rritjes ekonomike, ka përgatitur buxhetin prej 2 miliardë eurosh, ka përmbushur 94 nga 95 kritere për liberalizimin e vizave,ka përgatitur sigurimet shëndetesore, ka shpëtuar Trepçën nga falimentimi”.

“Asnjë vendim nuk është vonuar, sa i përket vendimmarrjes, asnjë seancë e Kuvendit të Kosovës nuk ka filluar me kohë, sikur edhe kjo e sotmja. Deputetët rrinë në byfe më shumë se sa rrinë në sallë dhe Qeveria s’mund ta përmirësojë këtë, në këtë Kuvend kemi shumë deputetë që kanë probleme me ligjin”.

“Në Qeveri nuk ka njerëz të korruptuar, në Qeverinë time nuk ka ministra që kanë klientelën e tyre, nuk ka afera korruptive, mburrem me njerëzit që kam punuar, janë njerëz të mirë, të ndershëm, nuk janë kriminelë dhe banditë”.