A vrasin mediat?

0
428
Shkruan:Shkumbin Kajtazi
Rasti i fundit i publikimit të fotografisë së të ndjerit Ermalit, i shtrirë e i gjakosur, tregon edhe një herë se mediat, kur nuk ruajnë etikën dhe dalin jashtë qëllimit për çka edhe ekzistojnë, dinë edhe të vrasin.

Mediat, ndonëse nuk vranë si dorasi i Ermalit, ata u vranë familjarëve kujtimin për të. Asnjë i afërm dhe dashamirë, e të cilët i kishte të shumtë Ermali, nuk do ta kujtojnë buzëqeshjen e tij. Me fajin e mediave, ata do ta kujtojnë Ermalin e përgjakur, në momentin më kritik të jetës, para se ta jepte atë.

Mediat, pra, janë fajtore pse u shkaktuan familjarëve një ‘vrasje të dytë’. Mediat, tash para se të jetë vonë, duhet të shohin nga vetja dhe të mos e ulin rolin e gazetarit dhe gazetarisë në tërësi.

Unë, parimisht, kam qenë kundër moralizimeve etike të hiperbolizuara. Por, rasti i fundit i vrasjes së Ermalit është diçka specifik, publikimi i fotografisë së të cilit në atë gjendje, nuk i kontribuon fare sqarimit të rastit, çka qëllim duhet ta kishte media. Dhe, pas një debati me një shoqe timen, po ashtu gazetare, më tha: paramendoje, ti si gazetar, a kishe dashur ta shihje kështu vëllain tënd? Kur e kujtoj këtë argument, thjeshtë rrëqethem.

Siç keni mundur ta shihni, para dy ditësh publikova një ‘tekst thirrje’ që iu drejtohej të gjithëve. Titullohej: Ty që s’je Ermali; aty trajtoja probleme të qytetit dhe të shoqërisë që në një formë a një tjetër, ishin bashkëfajtor në vrasjen e Ermalit. Por, tani në këtë moment po çuditem me veten se si nuk e kam menduar ta fus një pjesë se si mediat, gjë që e kanë vërtetuar që moti se mund ta bëjnë, mund edhe të vrasin.