Hoxhaj kërkon përkrahjen e Suedisë për vizat

0
86

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në drekë pune homologen e tij nga Suedia, ministren Margot Ëallstrom, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Duke e falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, kryediplomati kosovar ka folur për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me Suedinë dhe zgjerimin e tyre në fushën e ekonomisë, ku ka përmendur në veçanti përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë.

Hoxhaj ka kërkuar nga homologja suedeze përkrahje në agjendën evropiane, përfshirë finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave pas plotësimit të kriterit të fundit, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe proceset e lobimit për njohje nga pesë vendet anëtare të BE-së.

“Kemi biseduar se si marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale t’i zgjerojmë në fusha të tjera, me fokus të veçantë në planin ekonomik, ku kemi përmirësuar dukshëm klimën e të bërit biznes. Po ashtu,  kemi diskutuar në lidhje me koordinimin për mbështetje për Kosovën në zbatimin e agjendës evropiane”, ka thënë ai

Kryediplomati kosovar ka shprehur mirënjohjen për shtetin suedez për mikpritjen që ua kanë bërë popullit të Kosovës në periudhën gjatë luftës dhe për trajtimin e mirë të kosovarëve që jetojnë dhe punojnë në Suedi, transmeton Ditori.