Mos e prishni festën e qytetit më të pasur në Evropë!

0
971

Shkruan: Muharrem Vojvoda
Kosova sot kujtoi ditën historike, kur futbolli kosovar u pranua në UEFA, dëshirë kjo e kahmotshme e shumë gjeneratave që sakrifikuan çdo gjë, nga lloçi e deri te fusha e gjelbër, për të na shoqëruar pas shumë viteve lotët e gëzimit.

Sot, 1 vit pas, superliga e Kosovës në futboll e gjen në vendin e parë një skuadër nga një qytet që dikur i funksiononte gjiganti ekonomik “Trepça” që llogaritej ndër më të pasurit në Evropë, është fjala për klubin futbollistik “Trepça 89” që momentalisht gjindet e para në tabelë me 68 pikë të grumbulluara, 8 më shumë se i dyti, Prishtina.

E çuditshme kjo renditje në futbollin e Kosovës kur kihet parasysh se si është gjendja ekonomike e politike e qytetit prej nga vjen skuadra që pritet të kurorëzohet me titullin e kampionit, qytet që dikur ishte më i pasuri në vend, ndërsa sot është me varfërinë më të madhe.

Në shumë vende me situata të ngjashme klubet sportive do të luftonin për mbijetesë ose edhe më keq, nuk do të ekzistonin fare. Por, pavarësisht realitetit të hidhur banorët e këtij qyteti janë ndër më të pasurit në Evropë, të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë në sfera të dobishme, si për shembull sporti.

Derisa skuadra vazhdon drejt titullit historik, ka kohë që djelmoshave të këtij klubi ju mungon përkrahja e tifozëve ultras “Torcida”, të cilët që një kohë të gjatë mungojnë në tribinat e stadiumit që mban emrin e legjendës së Juventusit, Riza Lushta.

Por çfarë ndodhi? Nuk dua të futem në detaje, por bazuar në disa deklarata të kryesisë së klubit, arsyetimet janë shumë banale. Drejtuesit e klubit, me gjithë respektin që kam për ta, nuk duan në stadium sharje e fyerje, duan teatër, jo tifozeri. Ndoshta edhe tifozët e Bayernit nuk do kishin vend, ngase edhe ata, edhe në ndeshje të mëdha, shajnë e fyejnë.

Ndoshta problemi mund të jetë më i madh se që mund ta paramendoj, nuk dua të bëhem as avokat i tifozëve ultras, që dikur isha pjesë e tyre fizikisht e që ende jam shpirtërisht, por nëse është faji tek këta të fundit, atëhere le të marrin iniciativën e pajtimit dhe t’i kthehen tribinave.

Por, nëse problemi qëndron vetëm tek sharjet, që ndodhin kudo në botë, atëhere krerët e klubit t’i kapin për mëngsh tifozët e kësaj tifozerie dhe t’i kthejnë në tribina e t’i japin kuptim festës madhështore e mos ta zbehin ngjarjen e shumëpritur të njerëzve më të varfër në Evropë ekonomikisht dhe më të pasurit shpirtërisht.

Cilidoqoftë problemi, uluni si burrat e pajtohuni. Burrat po pajtohen nga bela të ndryshme, ju nuk mundeni të pajtoheni nga një keqkuptim? Përfaqësimi në arenën ndërkombëtare na pret. Historinë e shkruajnë të parët, historinë e shkruajnë mitrovicasit!
Ju lutem, mos e prishni festën e qytetit më të pasur në Evropë, Mitrovicës.