Hapet Panairi i Shkencës dhe Kulturës në Mitrovicë

0
1337

Mitrovicë, 27 prill – Sot në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë është bërë hapja zyrtare e Panairit të Shkencës dhe Kulturës, i organizuar nga gjimnazi “Frang Bardhi” i këtij qyteti. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, zyrtarë komunal, nxënës dhe profesorë nga Mitrovica dhe përfaqësues nga shkolla të Prishtinës, Vushtrrisë, Bujanocit dhe Ulqinit.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë fjalimit të tij tha se nxënësit janë kategoria më e dashur e shoqërisë dhe aktivitete të tilla e ngrisin vetëdijen për punë dhe për dije.

“Shpresoj se ky gjimnaz e do punën shumë dhe do të arrijë shumë suksese”, tha Bahtiri.

Ai poashtu i përshëndeti shkollat mysafire dhe tregoi se më 5 maj do ta vizitojë Preshevën.

“Ky takim do t’i lidhë dy komunat, Mitrovicën dhe Preshevën, dhe kjo është hera e parë që do të ndodh ky bashkim”, deklaroi Bahtiri.

Ndërsa drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Fidan Ademi, tha se ky aktivitet dëshmon se e ardhmja për shoqërinë tonë është më e mirë.

Panairi i Shkencës dhe Kulturës është aktivitet edukativo-arsimor në të cilin nxënësit i paraqesin punimet e tyre para qytetarëve. Gjimnazi “Frang Bardhi” ka qenë shkolla e parë publike që ka organizuar një aktivitet të tillë në vitin 2006.

Drejtori i gjimnazit të Mitrovicës, Ismet Ferizi, në intervistën e dhënë për Ditori.com tha se ky panair ofron mundësi për zgjerim të njohurive të nxënësve në shkencë dhe në kulturë. Ai shtoi se ndihet mirënjohës ndaj shkollave mysafire që kanë pranuar të vijnë në qytetin e Mitrovicës.

“Organizimi i këtij panairi kërkon shumë punë dhe vullnet. Besojmë se nxënësit pjesëmarrës do të dëshmojnë para qytetarëve aftësitë krijuese të tyre”, deklaroi Ferizi.

Ferizi poashtu tha se shumë sponsorë e kanë ndihmuar këtë organizim për t’i mbuluar shpenzimet eventuale.

Në anën tjetër, Drilon Deliu, kryetar i nxënësve të gjimnazit “Frang Bardhi”, tha se aspekti financiar ishte vështirësia kryesore gjatë organizimit të panairit. Gjatë ditës pati nxënës pjesëmarrës që u ankuan për mungesën e ushqimit të mjaftueshëm gjatë pauzës.

“Një gjysmë byreku dhe një shishe ujë nuk na mjafton që të jemi energjik për 7 orë e gjysmë para qytetarëve”, u shpreh njëri nga nxënësit pjesëmarrës për Ditori.com .

Deliu shpjegoi se deri te organizimi i panairit janë nevojitur rreth dy muaj punë. Nxënësit kanë pasur detyra specifike për t’i përzgjedhur temat dhe punimet që do t’i shfaqin para vizitorëve. Ai u shpreh se ndjehet falënderues ndaj shkollave mysafire që kanë pranuar ftesën për pjesëmarrje.

“Ne kemi ftuar edhe shkolla të tjera, por për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të vijnë të marrin pjesë. Megjithatë, ata na kanë falënderuar tejet shumë për ftesën”, u shpreh ai.

Që nga viti i kaluar, në Panairin e Shkencës dhe Kulturës në Mitrovicë janë ftuar shkolla nga qytete tjera të Kosovës dhe nga vise tjera shqiptare si Shkupi, Bujanoci dhe Ulqini.

Mevlan Ramadani, profesor nga gjimnazi “Sezai Surroi” nga Bujanoci, në një intervistë të dhënë për Ditori.com tha se aktivitetet e tilla të përbashkëta janë shumë të nevojshme për të gjithë shqiptarët, sidomos për të rinjtë.

“Kjo nuk është hera e parë që kemi marrë ftesë për aktivitete të tilla, mirëpo mikpritja dhe bujaria asnjëherë nuk kanë munguar”, u shpreh Ramadani.

Poashtu, Lirimi Isufi, nxënës nga gjimnazi “Xhevdet Doda” në Prishtinë, tha se gjëja më interesante e këtij panairi është se nxënësit mysafirë do të akomodohen nëpër shtëpitë e nxënësve nikoqirë.

“Ky panair ka ndikuar që të socializohen nxënësit nga të gjitha trojet shqiptare. Gjëja që më është dukur më interesante është se këtë vit do të qëndrojmë nëpër shtëpitë e nxënësve të Mitrovicës”, tha Isufi.

Sipas nxënësve pjesëmarrës, problem për përgatitjen e punimeve është mungesa e punës praktike gjatë procesit mësimor nëpër shkolla.

Donjeta Fazliu, nxënëse nga gjimnazi “Frang Bardhi”, përfaqësuese e sektorit të lëndës së kimisë, tha se pavarësisht mungesës së anës praktike në shkolla, ata janë munduar të përgatisin eksperimente kimike që t’i shfaqin para vizitorëve.

“Jemi përzgjedhur nxënësit më të mirë dhe jemi munduar të përgatisim edhe eksperimente siç janë përfitimi i oksigjenit, hidrogjenit etj.”, tha Fazliu.

Statistikat e viteve të kaluara tregojnë se gjatë ditës Panairin e Shkencës dhe Kulturës e vizitojnë afër 2000 vizitorë të moshave të ndryshme.

Faruk Kozgori, vizitor, u shpreh se vizita e këtij panairi i ka lënë përshtypje shumë të mëdha pasi që është organizim i nxënësve.

“Ne ndihemi shumë të kënaqur kur i shohim nxënësit e qytetit tonë  në këtë panair sepse shihet se të rinjtë në të ardhmen do të kenë një perspektivë më të zgjeruar”, tha Kozgori.

Panairi i Shkencës dhe Kulturës do të jetë i hapur për vizitorët deri më 29 prill. /Ditori.com