Mustafa: Po rrezikojmë liberalizimin, ushtrinë dhe investimet duke kërkuar zgjedhje të reja

0
123
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shpërthyer ndaj një iniciative të opozitës që e ka ndërmarr për ta rrëzuar Qeverinë.

Mustafa ka thënë se vendit i shkaktohet miliona euro humbje, dhe dështojnë shumë iniciativa që janë nisur.

Mustafa ka ironizuar edhe me sondazhet, që disa parti i nxorrën fituese të zgjedhjeve.

Ky është postimi i plotë i Mustafës:

Qeverisja dhe sondazhomania nuk shkojnë bashkë.

Sondazhet janë bërë sëmundje aktuale. Nën ndikimin e tyre subjekte dhe institucione të caktuara po i harrojnë zotimet dhe përgjegjësitë e tyre para qytetarëve.

Me Program qeverisës jemi zotuar për zhvillim më të shpejtë ekonomik, për rritje të punësimit, për fillimin e projektit të Kosovës C prej një miliard euro.

U zotuam kohëve të fundit për transformimin e FSK-së në ushtri. Kemi marrë obligimin për liberalizimin e vizave duke i plotësuar 94 nga 95 kritere të vëna nga BE. Kohëve të fundit na kanë rënë barrë dy dëme të mëdha të shkaktuara nga papërgjegjësitë në periudhën e kaluar. Kosova detyrohet të paguaj mbi 5 milion euro për parregullsitë në procesin e pasaportave dhe rreth 30 milion euro për parregullsitë në qeverisjen korporative të Post-telekomit të Kosovës. Dhe tani, thua se po e harrojmë ushtrinë, po i harrojmë investimet e mëdha po e rrezikojmë liberalizimin, dhe po kërkojmë shkas, qoftë me mocion qoftë në mënyra tjera për të shkuar në zgjedhje.

Është paradoksale të thuhet se të gjithë jemi gatitur për të bërë ushtrinë dhe në të njëjtën kohë të organizohet peticion për të lënë anash këtë zotim e për të shkuar në zgjedhje të reja. Dikush dëshiron të harrohen edhe dëmet milionëshe të shkaktuar vendit dhe të merremi me zgjedhje.

Rrugëdalja nuk është të ikim nga përgjegjësia, të bëhemi rob i sondazheve, sepse kur i kemi hyrë kësaj pune jemi marrë vesh ta qojmë deri në fund, ndërsa sondazhet i bëjmë kur të përmbyllim punët dhe kur u vjen koha e zgjedhjeve të rregullta.

E di që është më vështirë të punohet dhe të përmbushen zotimet para qytetarëve sesa të mbahen zgjedhje, por si Kryeministër nuk u trembem sfidave dhe përmbushjes së zotimeve, siç jemi pajtuar me këtë koalicion qeverisës. Ashtu sikur shpresoj se as Kuvendi dhe deputetët e Kuvendit nuk do të dorëzohen para kauzave të rrejshme për demarkacionin, sepse e vërteta gjithherë del në shesh. IM./Lajmi.net/

Action Coin