Zhbllokohen rrugët magjistrale pas protestave kundër fushatës zgjedhore të Serbisë

0
10

Shumë rrugë magjistrale në Kosovë, sot ishin bllokuar nga dhjetëra protestues, të cilët po kundërshtonin fushatën zgjedhore të Serbisë në Kosovë.

Megjithatë, këto rrugë raportohet se janë zhbllokuar, pasi që protestuesit kishin kuptuar se kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq kishte anuluar vizitën e paralajmëruar.

“Shumica e rrugëve të bllokuara, tashmë janë liruar”, ka deklaruar për REL, zëdhënësi i policisë Baki Kalani.

Qytetarët që kishin dalë në rrugë, për të bllokuar qarkullimin e makinave, bartnin në duar parulla me porositë: “Na leni të qetë në vendin tonë”, Kosova është e të gjithëve” e të tjera.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, anuloi të martën vizitën e tij në Kosovë, vetëm pak orë pasi qeveria në Prishtinë i dha dritën jeshile për vizitë disa orëshe.

Vuçiq tha se nuk pranon “shantazhe nga Prishtina”.

“Nuk vjen në shprehje ky lloj presioni dhe cirku që ka bërë Prishtina”, tha Vuçiq, transmeton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Qeveria e Kosovës tha më herët se ka marrë vendim që t’i lejojë Vuçiqit të shkojë në Kosovë, në vizitën e paralajmëruar për fushatë zgjedhore.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se “pas kushteve të shumta të vëna nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe pas diskutimeve të fundit në lidhje me vizitën, është marrë vendimi për lejimin e tij (Vuçiqit) që të vijë në Kosovë”.

“Kjo do të jetë edhe hera e fundit që lejohen të hyjnë zyrtarë serbë me qëllime të bërjes fushatë”, tha Hoxhaj.

Zgjedhjet presidenciale në Serbi mbahen më 2 prill dhe Vuçiq është njëri nga kandidatët.