Shënohet Dita Ndërkombëtare e Poezisë

0
97

Fushë Kosovë, 20 mars – Dita Ndërkombëtare e Poezisë është shënuar me anë të një ore letrare të hënën mbrëma në teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB. Aty u recituan disa poezi të zgjedhura nga letërsia shqiptare dhe ajo botërore.

Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në fjalimin e tij tha se kjo datë është e rëndësisë së lartë për faktin se edhe letërsia shqiptare ka poetë të shquar. Ai lexoi edhe disa vargje nga poezia “Lum Lumi” e Ali Podrimjes.

“Në një ditë si kjo, unë nuk mund të mos i kujtoj disa nga poetët tonë të njohur që fatkeqësisht nuk janë më në mesin tonë. Para pak kohësh na humbën edhe Dritëro Agollin, ndërsa këto vitet e fundit Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Mirko Gashin, Din Mehmetin, Rrahman Deden dhe poetë, pothuajse përfaqësues kryesorë të poezisë shqipe”, u shpreh Tafa në fjalimin e tij.

Nën meloditë e pianos dhe në një skenë të improvizuar si një lokal klasik, studentë dhe profesorë recituan poezi nga poetë të letërsisë shqiptare dhe asaj të huaj. Ndër to më të shpeshtat ishin poezitë e Ismail Kadares dhe Dritëro Agollit.

Në një intervistë të dhënë për Ditorin, Lulzim Tafa, rektori i Kolegjit AAB dhe autor librash me poezi, tha se poezitë lexohen pak në Kosovë.

“Poezia gjithmonë është lexuar pak dhe është shkruar pak. Por mendoj që në Kosovë, sidomos gjeneratat e reja tani kanë filluar më tëpër që të merren me poezinë. Lexoni sa më shumë poezi sepse ato janë një art në vete dhe përbëjnë pjesën më të bukur të letërsisë.”, tha Tafa.

Ai poashtu tregoi se ka qenë mik me Ali Podrimjën, poet nga Kosova, dhe e cilësoi atë si poetin më të mirë të letërsisë shqipe të të gjitha kohërave.

Ndërsa njëra nga recitueset në orën letrare, pas përfundimit të aktivitetit, u shpreh se organizime të tilla ngrisin vetëdijen e të rinjëve për të lexuar më shumë.

“Kam pasur pak emocione sepse ka qenë hera e parë për mua që kam recituar në skenë dhe ka qenë pak më e vështirë të recitoj në gjuhën angleze. Sipas meje letërsia jonë shqiptare ka më shumë vlera poetike”, tha recituesja.

Dita Ndërkombëtare e Poezisë është më 21 mars, një ditë pas Ditës Ndërkombëtare të Lumturisë. Kjo datë është shënuar që nga viti 1999 me propozim të UNESCO-s. /Ditori.com