Komisioni Europian i shqetësuar me cilësinë e ajrit në Kosovë

0
22

Zyrtarë nga Kosova dhe Komisioni Europian janë takuar në Prishtinë për të diskutuar zhvillimet e viteve të fundit në fushën e tranportit, mjedisit, energjisë, klimës dhe zhvillimit regjional.

Diskutimi është mbajtur në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, e cila hyri në fuqi në Prill 2016.

Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan mbi rëndësinë e zbatimit të prioriteteve të Agjendës për Reforma Europiane dhe Programit të Reformave Ekonomike.

Në lidhje me mjedisin, Komisioni shprehu shqetësimin ndaj progresit të kufizuar në këtë fushë e cila është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe cilësinë e shëndetit dhe jetës së tyre, njofton Klan Kosova.

Në veçanti, Komisioni shprehu shqetësimin në lidhje me progresin e kufizuar në monitorimin e cilësisë së ajrit dhe kërkoi zbatimin e masave të menjëhershme për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit.

Sa i përket menaxhimit të mbeturinave, Komisioni inkurajoi përpjekje më të mëdha në zhvillimin e një sistemi më efikas të menaxhimit të mbeturinave në Kosovë.