Mbyllet “Kosova Tex”, mbi 200 punëtorë në rrugë. Kryeministri ishte mburrur me të

0
179
Fabrika që eksportonte pantallona në tregun evropian “Kosova Tex”  është mbyllur para pakë muajve. Si rrjedhojë mbi 200 punëtorë kanë mbetur në rrugë.

“KosovaTex” është njëra nga kompanitë më të suksesshme, e cila prodhimet e veta i eksporton në vendet e Bashkimit Evropian, përkatësisht në Gjermani.

Kështu ka deklaruar kryeministri Isa Mustafa gjatë një vizite që i ka bërë fabrikës vitin e kaluar, duke e treguar si storie suksesi, por ajo u mbyll vetëm pas pak muajve të vizitës së kryeministrit.

Fabrika e cila ishte privatizuar  me Spin off special ka për pronarë biznesmenin nga Maqedonia, Lazim Destanin. Nuk dihet nëse është mbyllur përfundimisht.

Por, një punëtorë i ka thënë lajmi.net se fabrika është mbyllur para pak muajve dhe se u ishte thënë se do të rihapej përsëri, shkruan lajmi.net.

“Para dhjetorit na kanë dërguar në shtëpi. Na kanë thënë se do të na thërrasin përsëri pas vit të ri, por akoma nuk ka asgjë”, tha ky punëtor i fabrikës.

Lajmi.net ka dërguar pyetje edhe në adresën e “Kosova Tex” për tu njoftuar lidhur me mbylljen e fabrikës, por nuk ka marrë përgjigje.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit ka thënë se privatizuesi i ka kryer të gjitha obligimet më herët dhe se AKP-ja nuk mund të involvohët në këtë rast.

““Ndërmarrja “Kosova Tex”, është privatizuar në vitit 2006, me metodën spin off special, me çka blerësi ka marrë obligime që të investojë shumën 4 milionë euro dhe të angazhoj 200 punëtorë në ndërmarrje. Në fund të periudhës monitoruese, blerësi ka raportuar investime të realizuara në shumën 4 milionë e 341 mijë e 099 euro dhe 260 punëtorë të angazhuar. Si rezultat i përmbushjes në nivelin 130 % të kushteve të kontratës, Bordi i Drejtorëve, në muajin nëntor të vitit 2011 ka marrë vendim që ta liroj këtë ndërmarrje nga monitorimi dhe nga kushtet e marrëveshjes për zotime”, tha Kaloshi, duke shtuar se pas përfundimit të monitorimit të Agjencisë në ndërmarrje dhe pas vendimit për lirimin e saj nga kushtet e marrëveshjes për zotime, Agjencia nuk ka kompetenca mbi ndërmarrjen dhe nuk merr përgjegjësi për veprimtarinë e mëtejme të saj.

Megjithëkëtë, Auditori i Përgjithshëm në një raport të publiku në vitin 2015 për ‘Kosova Tex’, kishte konstatuar se, përmbushja e zotimeve, për investime, nga blerësi brenda periudhës së zotuar ishte 0.67%.

Edhe përkundër raportimeve të vazhdueshme se shkelja e “Marrëveshjes së Zotimeve” ishte shkelje e rëndë, AKP-ja nuk kishte marrë asnjë masë të paraparë me kontratë për tërheqjen e pronësisë, kishte konstatuar Auditori.

“Blerësi kishte ndërruar planin e biznesit pas dështimit për të implementuar planin e parë. Ky plan ishte aprovuar nga BD-ja bashkë me zgjatjen e periudhës së Zotimeve. Për më tepër, vazhdimi i periudhës së Zotimeve ishte vendosur që të jetë 24 muaj shtesë respektivisht deri më 31/08/2010. Deri në këtë periudhë përmbushja e Zotimeve sipas auditorit të pavarur ishte 46.60% për investime dhe 47% për punësim. Përkundër kësaj ishte angazhuar edhe një auditim tjetër i pavarur nga AKP që i referohet periudhës deri në Maj të vitit 2011, e cila periudhë e dytë e zgjatjes, përmban edhe 5 muaj të cilët nuk ishin miratuar nga BD-ja. Auditori i pavarur kishte konstatuar përmbushjen e zotimeve 101.84 % për investime dhe 114.5 % për punësim”, thuhej në raportin e Auditorit.

Ndryshe, Kosova Tex-i ishte privatizuar nga AKM-ja në vitin 2006 me model Spin-off special me 4 milionë euro investime kapitale dhe 200 punëtorë. /Lajmi.net/