Mediat serbe vazhdojnë t’i “fryjnë zjarrit”: Shqiptarët po përgatisin luftë!

0
80

Mediat serbe, edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar duke i “fryrë zjarrit” rreth mundësisë së një konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bëhet fjalë për mediumin Kurir.rs, përcjell Telegrafi, i cili duke paralajmëruar një shkrim në numrin e sotëm të kësaj gazete ka shkruar se “Shqiptarët po përgatisin luftë”.

“Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa troç kërkuan nga ne që të njohim pavarësinë e Kosovës, me çka edhe Vuçiq e Nikoliq u përgjigjen me kërkesën që ata të njohin pavarësinë e Bashkësisë së komunave serbe. Bisedimet pas kësaj u ndërprenë”, shkruan ky medium në fillim të shkrimit.

“Negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, kanë përjetuar përplasje për shkak të kërkesës së përfaqësuesve shqiptarë që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Këtë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa e kanë kërkuar nga kryeministri Aleksandar Vuçiq dhe presidenti Tomislav Nikoliç dhe u kanë dhënë një mesazh se mos tu shkojë ndër mend që do të lejojnë formimin e Asociacionit të komunave serbe”, shkruan Kurir të ketë mësuar nga “burime të mirë-informuara”.

Gjithsesi, së paku në artikullin e publikuar online, përveçse flitet për “bllokim të negociatave”, nuk shihet se në çfarë janë bazuar ky medium kur kanë nxjerrë titullin se “shqiptarët po përgatisin luftë”. /Telegrafi/