IADK mbetet partner strategjik për Mitrovicën edhe në vitin 2017

0
85

IADK do të vazhdoj të mbetet partner strategjik për komunën e Mitrovicës edhe në vitin 2017, thekson drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Nasuf Aliu, prandaj komuna mirëpret  bashkëpunimin me IADK-në, por edhe me të gjithë partnerët dhe donatorët me të cilët ka krijuar një partneritet afatgjatë në zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimit në Mitrovicë.

Sipas drejtorit Aliu, Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ka arritur të krijoj besim të plotë edhe tek donatorët e rinj në implementimin e projekteve të përbashkëta me qëllim të arritjes së objektivave të kësaj drejtorie në zhvillimin bujqësisë në Mitrovicë.

Kryetari i komunës Agim Bahtiri dhe drejtori ekzekutiv i IADK-së, Zenel Bunjaku, patën nënshkruar marrëveshjen  për bashkëfinancim dhe koordinim të investimeve në sektorin e bujqësisë për periodën 2015-2018.

Bazuar në këtë marrëveshje, Drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural z. Nasuf Aliu dhe drejtori ekzekutiv i IADK-së, Zenel Bunjaku janë dakorduar për përcaktimin e  projekteve prioritare, në mënyrë që ato të implementohen me sukses gjatë vitit  2017  në komunën e Mitrovicës, ku dominon kultivimi i mjedrës, projekte këto që janë në interes të qytetarëve dhe fermerëve.

Drejtori Aliu falënderoj shumë stafin e organizatës që ka shërbyer si shembull i mirë për formën e organizimit, përkushtimin dhe realizimin e projekteve konkrete në terren, duke ngritur vazhdimisht numrin e partnerëve të jashtëm, numrin e fermerëve përfitues dhe në këtë mënyrë edhe shtimin e vëllimit të punës që është në interes të qytetarëve.

IADK nëpërmjet aktiviteteve të saj angazhohet të ndihmojë pa dallim edhe grupet e margjinalizuara, minoritetet fetare e etnike, fermerët dhe gratë shtëpiake nga zonat e thella rurale. Për punën dhe angazhimin e IADK-së kanë meritë të madhe donatorët, partnerët dhe sponsorët e ndryshëm që kjo organizatë arrin t’i përfitoj në mbështetje të fermerëve./Ditori/