Treni i zmbrapsur nga Kosova për në Beograd, lajm i mediave botërore

0
143

Ndalimi i djeshëm nga autoritetet kosovare, i trenit të nisur nga Beogradi për në Mitrovicë, u bë lajm i mediave botërore.

Larg kësaj ngjarjeje të trenit me afishe e mbishkrime kundër shtetit të Kosovës dhe ikona krishtare, nuk qëndruan as mediat më të njohura ndërkombëtare si BBC, Reuters e Euronews.

Më poshtë mund të gjeni një përmbledhje lajmesh rreth trenit që u nis për në veriun e Kosovës nga Beogradi, por që u zmbraps nga autoritetet kosovare, njofton Klan Kosova.

BBC raportoi për trenin serb që u ndalua të futej në Kosovë ku sipas këtij artikulli, kjo ka tensionuar edhe më shumë situatën mes Kosovës dhe Serbisë.

Në artikullin e BBC-së thuhet se Kosova ka penguar një tren serb të kalojë kufirin midis dy vendeve, me supozimet se ishte përgatitur për të hedhur në erë rrugën hekurudhore, transmeton Klan Kosova.

Aty poashtu përmendet se kjo linjë e trenit që do të përurohej nga Beogradi  për në veri të Kosovës  shihej si një lidhje e rëndësishme e transportit nga ana e Serbisë.

Shkrimi i BBC-së përmend poashtu se në trenin serb shkruhej slogani “Kosova është Serbi” e poashtu se Kosova ka  shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe e pa trenin si një akt provokimi.


Ndërkaq agjencia e lajmeve, Reuters tha se “Policia e Kosovës e ka bllokuar të shtunën hyrjen e trenit i cili po vinte nga Serbia i pikturuar me ngjyrat e flamurit serb dhe me fjalët “Kosova është Serbi”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte urdhëruar forcat e njësisë speciale të dalin në kufi për të ndaluar ardhjen e trenit i cili kishte qëllim vetëm provokimet dhe nuk kishte leje të kalonte nga autoritetet e Prishtinës”, shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova.

Në artikull përmendet edhe liderii AAK-së, Ramush Haradinaj i cili u arrestua nga autoritet franceze me urdhërarrest të Serbisë.


Euronews raportoi se autoritetet serbe kanë dërguar një tren promovues në veriun e Kosovës për herë të parë pas 18 vjetësh e se ky veprim u konsiderua si një “provokim i rëndë” nga Prishtina.

Në shkrim thuhet se treni ishte pikturuar në ngjyra të Serbisë dhe në të shkruhej mesazhi “Kosova është Serbi”.

Në këtë artikull të Euroneës citohet edhe drejtori i Zyrës  serbe për Kosovë, Marko Gjuriq dhe deklarata e tij se ky tren nuk është ndonjë risi po është një zgjerim i linjës hekurudhore që ekziston tash e 10 vjet, e kjo deklaratë cilësohet si “minimizim i polemikave”.

E poashtu përmendet se Kosova ka akuzuar Serbinë për kërcënim të stabilitetit rajonal dhe se I ka bërë thirrje BE-së për të ndërhyrë, njofton Klan Kosova.