“Serbia nuk po e do normalizimin me Kosovën”

0
51

Njohësi i rrethanave politike në vend, Belul Beqaj, i ka bërë thirrje kryeministrit Isa Mustafa të mos i zbatojë ultimatumet e fundit të Qeverisë së Serbisë në lidhje me zëvendësimet e ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës.

Ai ka thënë se nëse kryeministri i vendit u bindet këtyre ultimatumeve, atëherë ai duhet të shkarkohet.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Beqaj ka thënë se këto mesazhe të Qeverisë serbe tregojnë se Beogradi nuk dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.
“Ultimatumi i Vuçiqit paraqet mesazh të qartë se Serbia nuk dëshiron normalizimin e raporteve me Kosovën. Këso mesazhe nuk ka dërguar as Millosheviqi kur ka qenë Kosova në kuadër të RSFJ-së. Nëse eventualisht ultimatumi i tillë merret parasysh nga kryeministri Kosovës, atëherë mendoj se kryeministri urgjentisht duhet të shkarkohet. Nëse kthehet ministri i shkarkuar, do të thotë se me Kosovën qeverisë edhe publikisht kryeministri i Serbisë!”, ka thënë Beqaj.
Ai ka bërë me dije se edhe paralajmërimet se ata do të fillojnë vetë ta formojnë asociacionin e komunave me shumicë serbe tregojnë për synimet që Serbia ka ndaj Kosovës. Sipas Beqajt, ky është një moment i mirë i rishikimit dhe rivlerësimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në Bruksel.
“Kjo tregon çfarë janë pretendimet e mirëfillta të Serbisë. Ajo synon që brenda shtetit të Kosovës ta krijojë shtetin marionetë të Serbisë. Në fakt, ky është moment i rishikimit dhe rivlerësimit të të gjitha marrëveshjeve të deritanishme. Meqë kjo kërkesë është paralajmërim që bie në dyshim të gjitha të arriturat e deritanishme, pavarësisht se ato ishin të kufizuara. Në anën tjetër, mund të jetë uverturë me dimensione të paparashikueshme”, është shprehur Beqaj. Politologu Beqaj në këtë intervistë ka folur edhe për punën e koalicionit qeverisës dhe të partive opozitare përgjatë këtij viti.