Pak qytetarë morën pjesë në zgjedhjet e Drenasit

0
55

Vetëm 40,55 për qind e qytetarëve me të drejtë vote të Drenasit kanë votuar dje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja e qytetarëve është cilësuar si dalja më e ulët në votime në këtë komunë që nga paslufta. Nga 52.569 qytetarë të regjistruar për të votuar në komunën e Drenasit, votën e tyre e kanë hedhur saktësisht 21.318 veta.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se këto janë zgjedhje me pjesëmarrje të ulët që nga zgjedhjet e fundit të vitit 2013.

“Ka qenë një numër më i vogël i votuesve për 8 për qind. Kjo tregon se vazhdimisht kemi ulje të votuesve në këtë komunë’, ka thënë Daka.  Në zgjedhjet lokale (2013) në Drenas patën votuar 24 mijë e 362 votues apo 48,66%. Megjithatë, sipas saj, procesi ka shkuar pa ndonjë parregullsi që do ta cenonte integritetin e zgjedhjeve.

“Procesi ka qenë i rregullt dhe është treguar një kulturë e lartë demokratike e të gjithë atyre që shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar”, ka thënë Daka.

Gjatë procesit të numërimit të votave, KQZ-ja ka dalë me konferencë për shtyp tri herë gjatë ditës së diel. Në konferencën e parë të orës 11:00, në votime kishin dalë vetëm 7.63 për qind e qytetarëve apo 4010 persona. Në konferencën e orës 15:00 numri i votuesve ishte rritur në 14.193 persona apo 27 për qind. Ndërkohë, konferencën e parë preliminare KQZ-ja  e ka mbajtur në orën 21:30. Sipas rezultateve të tyre preliminare, asnjëri prej kandidatëve nuk ka fituar numrin e mjaftueshëm të votave për të qeverisur me Komunën. Pavarësisht rënies së ndjeshme, për afro 20 për qind nga zgjedhjet e vitit 2013, kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci, ka fituar numrin më të madh të votave.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Gazetën Zëri.