Aksidentohen për vdekje dy fëmijë shqiptarë në Serbi

0
110

Në një aksident trafiku dje rreth orës 1:30 të mëngjesit u raportua nga mediat serbe se kanë humbur jetën dy fëmijë, shqiptarë nga Kosova, por me nënshtetësi të Austrisë.

Rasti është raportuar të ketë ndodhur kur një kamion ka humbur kontrollin në rrugë dhe ka goditur makinën ku ndodheshin udhëtarët shqiptarë.

Rastin tragjik e ka konfirmuar edhe Shefi i Kabinetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Bashmir Xhemaj.

“Me keqardhje të thellë mund ta konfirmoj rastin tragjik që ka prekur një familje nga Kosova me banim dhe nënshtetësi austriake në mëngjesin e djeshëm teksa po udhëtonte nëpër Serbi. Bëhet fjalë për një fatkeqësi komunikacioni ku ka edhe të vdekur”, ka thënë Xhemaj për portalin Indeksonline.

Ai ka shtuar se “zyra jonë diplomatike në Beograd është duke u marrë me këtë rast dhe janë në pranë familjarëve”.

Gjithsesi, Xhemaj nuk ka konfirmuar emrat e viktimave.