Murtezaj: Nikoliqi kërcënon me destabilizim të Kosovës

0
49

Asnjë deklaratë e autoriteteve të Serbisë nuk mund ta ndalojë Kosovën të anëtarësohet në Agjencinë për Kulturë, Shkencë dhe Arsim të Kombeve të Bashkuara (UNESCO) dhe institucionet e Kosovës janë duke punuar për një anëtarësim të tillë, kanë bërë të ditur zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Zëvendësministrii Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Valon Murtezaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës janë duke punuar në përmbushjen e standardeve që ndërlidhen me mundësinë për anëtarësim në UNESCO, ndonëse ai nuk ka përmendur afate të mundshme se kur dhe nëse Kosova do të aplikojë për pranim në këtë organizatë.

Deklarata e tij vjen një ditë pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, i cili ka thënë se në rast se Kosova do të arrijë të anëtarësohet në UNESCO, pa u shqyrtuar kjo çështje në dialogun në Bruksel, atëherë ai do t’i propozojë Qeverisë së Serbisë që ta ndërpresë dialogun me Kosovën.

“Është larg mendsh që Kosova të jetë në UNESCO, pa u biseduar në Bruksel. Në rast të një rezultati të tillë në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s, propozoj që t’i ndërpresim bisedimet me Prishtinën, dhe të ndihmojmë popullin tonë, që t’i ofrohet një jetë më e mirë se tash, si në Kosova ashtu edhe në Serbi”, ka thënë Nikoliq.

Por, zëvendësministri Murtezaj thekson se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO nuk varet nga qëndrimet e autoriteteve të Serbisë. Deklaratën e presidentit serb ai e vlerëson si një thirrje kërcënuese dhe për destabilizim.

“Janë për të ardhur keq dhe nuk ka asnjë qëndrim të asnjë qeveritari të Serbisë që mund ta ndalojë Kosovën që të bëhet pjesë e UNESCO-s. Thirrjet për ndërprerje të dialogut dhe për mbrojtje (të serbëve) janë në fakt thirrje apo kërcënim për destabilizim të Kosovës, të cilën gjë institucionet e Kosovës nuk do ta lejojnë asnjëherë”, thekson Murtezaj.

Më 9 nëntor të vitit 2015, Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), nuk votoi në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë. Kosova nuk arriti të sigurojë votat e më shumë se dy të tretave të vendeve anëtare të kësaj organizate, të cilat ishin të nevojshme për pranimin e saj në UNESCO. /REL/