Schwendiman: Gjykata Speciale nuk është anti-shqiptare

0
31

Në intervistën e tij të parë që prej emërimit kryeprokuror i Gjykatës së re Speciale të Kosovës, David Schwendiman tha për BIRN se kriminelët e dyshuar janë objektivi i tij, e jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Unë nuk jam për organizata apo etni. Unë po kërkoj përgjegjësi individuale për atë që është bërë,” tha David Schwendiman në një intervistë për BIRN.

“Nëse ky mesazh mbërrin qartë te njerëzit që preken nga kjo, atëherë ndoshta ata do të kuptojnë se gjykata nuk është pro-shqiptare apo anti-shqiptare, pro-serbe apo anti-serbe, por ne thjesht po bëjmë punën tonë,” tha ai.

Schwendiman është kryeprokurori në Zyrën e re të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e ngritur në Hagë me mandatin për të ndjekur penalisht krimet nga ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000.

Figura të larta të UÇK-së priten të akuzohen për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës me forcat serbe, edhe pse paditë e para janë ende në pritje.

Në Kosovë, gjykata shihet si e njëanshme duke qenë se do të gjykojë vetëm ish-luftëtarë të UÇK-së – njerëz që perceptohen si çlirimtarë nga shumica e popullsisë etnike shqiptare në vend – ndërsa në Serbi, gjykata ka mbështetje të gjerë për shkak të shpresave se ajo do të ndjekë penalisht krimet kundër serbëve.

Por Schwendiman tha se mesazhi kryesor që ai donte të përcillte gjatë vizitës së tij të parë në Serbi dhe në Kosovë javën e kaluar ishte se ai do të jetë i pavarur dhe i lirë nga çdo ndikim politik.

“Roli ynë është të gjykojmë individë dhe jo etni. E di që ekziston një lloj perceptimi, por s’mund të bëj shumë për këtë, përveçse ta bëj punën time dhe ta bëj atë si duhet,” shpjegoi ai.

Gjykata e re do të dëgjojë raste që dalin nga raporti i Tast Forcës Hulumtuese të BE-së i vitit 2014, i cili thoshte se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së do të përballeshin me padi për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohet të ishin bashkëpunëtorë të regjimit të Beogradit.

Në krimet e dyshuara përfshihen vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Mediat kosovare dhe ato serbe kanë spekuluar gjerësisht se kush do të ndiqet penalisht nga gjykata.

Një raport i Këshillit të Europës nga viti 2011, i cili hodhi bazat për hetimin e SITF, pohoi se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte një figurë kyçe në një rrjet krimi të organizuar që ishte përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut në Kosovën e pasluftës. Thaçi i ka mohuar akuzat.

Megjithatë, Schwendiman nuk pranoi të tregonte se kush ishte nën hetim dhe tha se një nga arsyet e vizitës së tij në Beograd dhe Prishtinë javën e kaluar ishte për të shuar thashetheme të tilla.

“Doja të trajtoja çështjen e spekulimit, supozimet dhe thashethemeve dhe të sigurohesha që njerëzit të kuptojnë se nëse nuk vijnë nga unë, nuk janë diçka që duhet t’u besoni,” theksoi ai.

Vizita e javës së kaluar e Schwendiman ishte e para e tij në Kosovë dhe Serbi, edhe pse ai ka përvojë pune në Ballkan. Nga viti 2006 deri më 2009, ai punoi si prokuror ndërkombëtar në Departamentin Special për Krime Lufte në zyrën e prokurorit të shtetit në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Nuk kam qenë kurrë në Prishtinë dhe as në Beograd, edhe pse kam qenë në rajon. Doja të takoja njerëz me të cilët duhet të punojmë ndërsa kalojmë në fazën tjetër. Doja të sigurohesha që ata më kuptuan që ne e vlerësojmë mbështetjen dhe përpjekjen e tyre të vazhdueshme dhe doja gjithashtu të sigurohesha që ata kuptuan nga unë gjëra të rëndësishme në lidhje me punën dhe përgjegjësinë time,” tha për Schwendiman për BIRN.

Në të dy kryeqytetet, ai takoi zyrtarë të lartë mbështetja e vazhdueshme e të cilëve atij do t’i nevojitet shumë.

“Fola gjithashtu për mandatin tim, i cili nuk është shumë i gjerë. Është një mandat fokus. Unë jam një prokuror special, jo se unë kam ndonjë gjë të veçantë, por për shkak se detyra është përqendruar. Nuk është si ndonjë kompetencë e përgjithshme plenare gjykatash. Është një mandat shumë i fokusuar,” shpjegoi ai.

Gjykata speciale do të merret me krimet e kryera midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, por do të ndjekë penalisht vetëm ata që u përfshinë në anën shqiptare të Kosovës të luftës, e cila konsiderohet si një qasje e re duke qenë se fokusohet në përgjegjshmërinë e “fitimtarëve” të konfliktit.

Por përsëri, Schwendiman theksoi se kjo nuk do të thotë se ndjekjet penale janë të njëanshme.

“Doja të theksoja pavarësinë time, se gjëja kryesore në lidhje me atë që po bëj është e pavarur, se çdo gjë që duhet të bëj do të bazohet vetëm në kuptimin tim të fakteve ndërsa ne i mbledhim ato dhe se ne do të vazhdojmë ta zbatojmë ligjin. Dhe ligji, siç e dini, thith dhe integron standardet ndërkombëtare që tashmë ekzistojnë, kështu që doja që njerëzit ta kuptonin këtë,” tha ai.

Ai dhe ekipi i tij donin gjithashtu të siguroheshin se do të marrin ndihmën e vazhdueshme për të cilën kanë nevojë nga Serbia dhe Kosova, që do të thotë qasje në dokumente, dëshmitarë dhe materiale të tjera që konsiderohen të rëndësishme për hetimet e tyre.

“Qeveria e Kosovës ndihmoi në mënyra të ndryshme gjatë hetimit, EULEX gjithashtu. Të gjithë ata me të cilët bisedova në këtë udhëtim më siguruan se do të kemi çdo ndihmë që na nevojitet dhe jam absolutisht i bindur që do ta kemi atë,” tha Schwendiman.

“Një nga qëllimet e këtij udhëtimi ishte të takohesha me njerëzit që do të jenë përgjegjës për ta bërë këtë. I pashë në sy dhe u thashë atë që dëshiroj dhe u kërkova atyre të rikonfirmonin mbështetjen e tyre,” shtoi ai.

Bazë provash të qëndrueshme

Megjithatë, nuk dihet ende se kush do të bëjë arrestimet dhe si do të funksionojë procesi i ekstradimit.

Mbetet ende për t’u përcaktuar se çfarë provash do të mund të përdorë Zyra e Prokurorit Special.

Gjatë pranisë 17-vjeçare të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, janë mbledhur informacione në rreth 1,000 raste, edhe pse shumë prej tyre nuk e arritën kurrë  fazën e gjykimit. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, gjithashtu ka punuar në shumë raste që kanë lidhje me luftën e Kosovës.

Sipas Ligjit të Kosovës mbi Dhomat Speciale, i cili bëri të mundur ngritjen e gjykatës, “provat e mbledhura në procedura penale apo në hetime brenda kompetencës se Dhomave Speciale para krijimit të saj nga ndonjë autoritet ose agjenci kombëtare ose ndërkombëtare e zbatimit të ligjit ose hetimi penal, përfshirë Prokurorinë Shtetërore të Kosovës, ndonjë autoritet policor në Kosovë, ICTY, EULEX Kosova ose SITF, mund të jenë të pranueshme para Dhomave Speciale”.

Të gjitha këto institucione kanë mijëra faqe dëshmi, raporte, urdhra dhe dokumente të tjera që mund të përdoren nga prokurori special, por ato që mund të përdoren në gjykatë do të bëhen të qarta vetëm pasi të miratohen rregullat e saj mbi procedurën dhe provat, pasi të jenë zgjedhur gjyqtarët dhe kryetari i trupit gjykues.

“Jam i sigurt se do të jetë një përzierje e asaj që ne mund dhe nuk mund të përdorim; në Bosnje, për shembull, na u desh të nxirrnim për të dëshmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dëshmitarë, por përcaktuam fakte që gjykatat mund t’i pranonin,” tha Schwendiman.

Edhe pse shumë njerëz kanë vënë në dyshim nëse është e mundur të vërtetohen krimet e kryera nga një forcë guerilase si UÇK-ja, për shkak të mungesës së urdhrave me shkrim, Schwendiman shprehu besimin, duke thënë se shefi hetues i SITF, Clint Williamson, i ka lënë atij një bazë solide provash mbi të cilat mund të ndërtojë çështjet.

“Nuk do ta kisha pranuar punën nëse unë dhe Clint nuk do të kishim folur mbi atë që Clint mendonte se ishte arritur deri në korrik 2014 (kur SITF publikoi raportin). Kam punuar një vit e gjysmë për këtë si hetuesi kryesor dhe s’do ta kisha pranuar punën si kryeprokuror po të mos besoja se ka diçka për të ndërmarrë hapin e radhës, që është ndjekja penale,” tha ai.

Por Schwendiman është i vetëdijshëm se do të duhet të mbështetet shumë te dëshmitarët dhe deklaratat e tyre. Garantimi i sigurisë për dëshmitarët e mbrojtur që dëshmojnë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë ka qenë një problem për të gjitha institucionet që kanë qenë të përfshira në procese të tilla në të kaluarën – ICTY, misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, EULEX dhe gjykatat vendore në Serbi dhe Kosovë.

“Mbrojtja e atyre që ne vlerësojmë si të cenueshëm apo që bëhen të cenueshëm për shkak të pjesëmarrjes në këtë proces është tepër e rëndësishme. Unë kam autoritetin për ta bërë këtë, kam marrë garanci se do të më ndihmojnë ta bëj këtë dhe nuk mundem dhe nuk do të flas për ekipe apo metoda specifike që ne po ndërmarrim tani apo që do të ndërmarrim që të mund të bëhet kjo,” shpjegoi ai.

Një sërë dëshmitarësh kanë ndryshuar dëshmitë e tyre gjatë gjykimeve të mëparshme të pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë dhe në Hagë.

“Ky është një shqetësim i madh për ne. Kjo është një sfidë e madhe për ne dhe  është diçka që ne e marrim shumë seriozisht, të cilës i kushtojmë shumë kohë dhe mund. Duhet ta ruajmë besimin që njerëzit kanë tek ne dhe duhet të mbrojmë ata që janë të brishtë deri në atë masë sa të mos e humbasim atë besim,” u përgjigj Schwendiman.

Kanosja në komunitet

Schwendiman së pari u përball me kanosjen e dëshmitarëve kur po hetonte krimet e kryera në luftën e Bosnjës.

“Në Bosnje dhe Hercegovinë, nuk ishte e zakonshme, por ndodhte. Njerëzit humbën familjet dhe mbështetjen dhe kishte të akuzuar që jetonin në lagjet e tyre dhe kur i kërkoja të vinin të dëshmonin, ndonëse emrat i fshiheshin nga aktakuza, i kuptoja shumë mirë kur vinin dhe më thoshin ‘jo’”, kujton Schwendiman.

Ai kujton një situatë ku një grua refuzoi të vinte në gjykatë për shkak të presionit shoqëror për të mos folur dhe për të mos hapur telashe të mundshme.

“Ajo nuk u dekurajua nga komuniteti i përgjegjësit, por nga komuniteti i saj, që i tha: “Nuk ke pse e bën, ti e di që vetëm sa na sjell tensione. Përse do të flasësh?”, shpjegoi ai.

“Por ne ia dolëm ta bindim atë me vizita të shpeshta, duke sqaruar problemet, duke u treguar të ndjeshëm ndaj gjërave, duke folur me djalin e saj që mundi ta bindte se kishte mbështetje për të. Gjëja më e rëndësishëm është t’i bëjmë njerëzit të na besojnë,” shtoi ai.

Ai tha se eksperienca në Bosnje i kishte dhënë mundësinë të përballej me situata të tilla me të tilla situata me një nivel më të thellë kuptimi.

“Është e rëndësishme të jesh i ndjeshëm me gjëra për të cilat nuk ke përvojë dhe jo të bësh sikur je i ndjeshëm. Nuk mund t’i them dikujt që e kuptoj se çfarë ke kaluar. Nuk e kuptoj. Nuk ia kam asnjë ide,” shpjegoi ai.

“Flet me njerëz që kanë përjetuar gjëra nga më të tmerrshmet që mund të imagjinosh, të cilëve u kanë shterur lotët, që nuk u ka mbetur asnjë shpresë. Ata nuk jetojnë aty ku jetuan përgjithmonë. Ata janë zhvendosur. Ke të gjitha këto zhgënjime, gjithë atë urrejtje që u vjen nga brenda, që e bën të vështirë krijimin e një marrëdhënieje dhe kjo vjen me eksperiencën,” shtoi ai.

Njësoj si në Bosnjë, ai shpreson që hetimet e tij do ta ndihmojnë atë të kërkojë eshtrat e rreth 1,600 personave ende të zhdukur nga konflikti në Kosovë.

“Di si ta bëj dhe e kam bërë. Jam totalisht i angazhuar të bëj sa më shumë që mundem për të lokalizuar, gjetur dhe kthyer ata njerëz në familjet e tyre,” tha ai.

Megjithatë ai është i ndërgjegjshëm të pritshmërive të mëdha që disa njerëz kanë nga ai, sidomos në Serbi, ku gjykata e re shihet si një mundësi unike për të vënë drejtësi për viktimat serbe.

“Jam shumë i ndjeshëm për këtë. Mund të bëj vetëm atë që mundem dhe të jem sa më realist, i sinqertë dhe transparent që është e mundur,” tha ai.

“Menaxhimi i pritshmërive është tepër i rëndësishëm, sepse do të ndikojë nëse rezultatet perceptohen ose jo si legjitime dhe ky është një qëllim i madh për mua. Kështu që do të bëj gjithçka që mundem për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë se cilat duhet të jenë pritshmëritë dhe më pas ata mund të më shpallin mua përgjegjës nëse unë i përmbush apo jo ato pritshmëri,” shtoi ai.

Megjithatë, njësoj me gjykatat tjera ndërkombëtare, një nivel zhgënjimi është i pashmangshëm, pranoi ai.

“Do të ketë gjithmonë njerëz që janë të zhgënjyer. Nuk kam asnjë dyshim për këtë,” tha ai.

Edhe pse kanë kaluar 17 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, Schwendiman beson se sjellja e autorëve të krimeve të kryera atje para drejtësisë mbetet e rëndësishme për të ardhmen e vendit.

“Pavarësisht asaj që ka ndodhur më parë, ka ende një pikëpyetje në lidhje me gjërat që ndodhën gjatë luftës dhe këto gjëra po ndikojnë në ambientin përreth, po ndikojnë te njerëzit personalisht,” tha ai.

Dhënia llogari e personave përgjegjës për abuzime të tilla, tha ai, “do t’i ndihmojnë njerëzit që jetojnë me të kaluarën”.

Lidhjet me Shqipërinë

Si raporti i vitit 2014 i SITF ashtu edhe raporti i vitit 2011 i Këshillit të Europës thonë se disa nga aktivitetet kriminale u kryen në Shqipërinë fqinje.

Gjykatat e Kosovës kanë dënuar disa ish-luftëtarë të UÇK-së për përfshirje në torturimin e të ndaluarve në kampet në Shqipëri në prill, maj dhe qershor të vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë.

UÇK-ja kishte pasur një bazë në qytetin shqiptar të Kukësit, nga ku ata ndërmerrnin operacionet guerilase përtej kufirit.

UÇK-ja po ashtu kishte një rrjet burgjesh në bazat e tyre në Shqipëri dhe Kosovë gjatë dhe pas konfliktit.

SITF bëri disa vizita në Shqipëri, pavarësisht faktit se autoritetet shqiptare fillimisht refuzuan ta lejonin atë të hetonte atje.

“Unë trashëgova marrëdhënien e mirë që hetuesi kryesor i SITF, Clint Williamson, kishte krijuar me qeverinë shqiptare dhe pres të marr ndihmë të plotë nga ata për të bërë atë që ne duhet të bëjmë. Unë do të shkoj kudo që të jetë e nevojshme të shkoj dhe nuk do t’i mbyll dyert akujt,” tha Schwendiman.

Epërsia e Gjykatës Speciale

Sipas Ligjit të Kosovës mbi Dhomat Speciale, gjykata e re ka përparësi ndaj të gjitha gjykatave të tjera në Kosovë.

“Neni 10 dhe 11 i ligjit japin epërsi prokurorëve në të gjitha çështjet brenda mandatit,” tha Schwendiman.

Sipas nenit 10 të ligjit, ai mund të vendosë në çdo moment nëse një çështje që po hetohet nga prokuroria e Kosovës – dhe të gjitha dokumentet në lidhje me çështjen – duhet të transferohen në Dhomat Speciale.

Megjithatë, nuk dihet ende se çfarë do të ndodhte nëse një person i kërkuar nga gjykata speciale është në gjyq në Kosovë për krime të tjera.

Kur Tribunali i Hagës po ngrinte padi, çështjet ndaj të dyshuarve në gjykatat vendore ndaloheshin derisa Gjykata e Hagës jepte vendimet e saj përfundimtare. /kallxo.com/