Grevë urie në Qendrën e paraburgimit në Mitrovicë të veriut

0
146

Të burgosurit në Qendrën e paraburgimit në Mitrovicë të veriut kanë filluar grevën e urisë.

Greva është nisur pas transferimit të katër të burgosurve që më parë ishin në këtë qendër, për të vazhduar mbajtjen e dënimit me burg në burgun e Podujevës.

Katër të burgosurit, në mesin e të cilëve është edhe Slobodan Gavriq nga Beogradi, i dënuar me 13 vjet burg për terrorizëm në Kosovë, janë serbët e vetëm në burgun e Podujevës.

Të burgosurit tjerë në Mitrovicë të veriut, në mesin e të cilëve është edhe Oliver Ivanoviq, kanë vendosur të fillojnë grevën e urisë.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë , zëvendësministri i Drejtësisë i Qeverisë së Kosovës, Nysret Hoxha.

Në Qendrën e paraburgimit në Mitrovicë të veriut janë rreth 40 persona, në mesin e të cilëve edhe persona që janë të dënuar me burg.