Një ekspert nga Shqipëria do ta mbikëqyrë procesin autopsisë së Astrit Deharit

0
36

Familja Dehari ka angazhuar një ekspert të mjekësisë ligjore nga shteti i Shqipërisë, i cili do ta mbikëqyrë procesin e autopsisë për Astritin, i cili gjatë ditës së djeshme ndërroi jetë në rrethana ende të paqarta. Autopsia pritet të bëhet të hënën, pasi eksperti shqiptar ende nuk ka ardhur në Kosovë.

“Presim që së shpejti të vijë mjeku nga Shqipëria dhe nesër të ndjerit t’i bëhet procesi i autopsisë”, ka thënë prokurori Metush Biraj, i cili po merret me vdekjen e dyshimtë të 26 vjeçarit.

Biraj ka thënë se është miratuar kërkesa e Familjes Dehari për angazhimin e një eksperti të jashtëm për të marrë pjesë në autopsinë e djalit të tyre.

Eksperti nga Shqipëria nuk do të jetë pjesë e mjekëve ligjorë që do ta bëjnë autopsinë, por vetëm do të jetë mbikëqyrës.

“Nuk do të marrë pjesë në obduksion, por vetëm ta mbikëqyrë procesin”, ka thënë Biraj.

Vdekja e Deharit është cilësuar si e dyshimtë. Për të hetuar rastin janë përfshirë Policia, Prokuroria dhe Mjekësia Ligjore.

Prokurori Biraj ka thënë se gjatë ditës së djeshme ekipet e forenzikës i kanë bërë të gjitha hetimet lidhur me këtë çështje. Ai tha se prokuroria tashmë është në fazën e hetimeve lidhur me këtë çështje.

“Jemi në fazën e hetimeve. Ende nuk kemi ndonjë të re në këtë drejtim, por ju konfirmoj se ne tashmë jemi në fazën e hetimeve”, ka shtuar ai.

Ndërkohë edhe Kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren, Sylë Hoxha ka bërë të ditur se të gjitha dyshimet lidhur me vdekjen e Astrit Deharit do t’i bëjë të ditura raporti i obduksionit.

Hoxha tha se në trupin e pajetë të Deharit nuk ka pasur ndonjë plagë, por vetëm disa gërvishtje në pjesën e qafës.

“E kemi cilësua si vdekje të dyshimtë, ende nuk i dimë shkaqet. Po i presim të gjitha raportet. Për momentin nuk mund të deklarojmë më shumë”, ka thënë Hoxha për Gazetën Express.

Ndërkohë që sot familja e Astrit Deharit ka njoftuar se sot nuk do të bëhet varrimi i djalit të tyre, i cili vdiq derisa ishte duke shkuar nga burgu i Prizrenit për në spital. /GazetaExpress/