Berisha: Nuk ka heqje të barrikadave, ato po modifikohen

0
317

Largimi i barrikadave në Mitrovicë, që ndodheshin në afërsi të Shkollës Teknike në pjesën veriore ishte padyshim një hap shpresë për qytetarët e këtij qyteti. Largimi i kësaj barrikade u pa më shumë shpresë nga qytetarët e të dy anëve. Kjo barrikadë ishte vendosur nga serbët para disa viteve, të cilët nuk donin që kjo pjesë e vendit të integrohet nën sistemin shtetëror të Kosovës.

Ndërsa deputeti nga radhët e Nismës për Kosovën, Zafir Berisha në një prononcim për Indeksonline ka thënë se nuk ka heqje të barrikadës por ajo vetëm është modifikuar si bllokadë gjoja se është duke u bërë renovimi i urës.

“Bllokada e dini se është vendosur nga kryetari i pjesës veriore të Mitrovicës, i cili ka shkelur ligjet e vendit dhe nuk është marrë me asnjë masë ndaj tij në përputhje me ligjet e vendit për pengim të lëvizjes së lirë të qytetarëve”, ka shtuar Berisha, shkruan Indeksonline.

Sipas Berishës, përderisa kemi në institucione njerëz të tillë që sa herë që Beogradit i teket të krijojë situata të pakëndshme në Kosovës përdorë këta njerëz, prandaj mendoj se bllokadat nuk hiqen në këtë formë por në forma të tjera në përputhje me ligjet e vendit.

“Marrëveshjet e Brukselit vetëm sa e thellojnë ndarjen e vendit në baza etnike, shumë marrëveshje në Bruksel janë në kundërshtim me përcaktimin kushtetues të vendit dhe deklaratat e tilla janë që të mashtrohet qytetari përkohësisht, përndryshe atje është duke u krijuar një realitet që do t’i kushtojë shumë vendit dhe stabilitetit rajonal”, ka deklaruar Berisha.

Gjithashtu sipas Berishës, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri shpesh herë as vet nuk e di se çfarë thotë kështu që nuk ia vlen të komentohen deklaratat pa mbulesë të tij.

“Bahtiri veç nëse i kthen në shtëpi të vet shqiptarët se nuk mundet me i kthye me një ambient ku funksionon shteti fashist i Serbisë”,ka përfunduar deputeti Berisha./Indeksonline/