Mimoza Kusari tregon se pse e nisi në Gjakovë subjektin e ri politik

0
704

“Iniciativa e re” nuk do të jetë emri zyrtar i subjektit të ri politik, që tashmë ka nisur të marrë formë. Përveç themeluesve të saj, Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Dedaj, tashmë grupi i ri politik në Kosovë, ka edhe disa anëtarë të rinj. Tetë asamblistë të Komunës së Gjakovës, që drejtohet nga Kusari-Lila, të premten janë rreshtuar në “Iniciativën e re”, që shënon zyrtarizimin e këtij subjekti politik.
Por, pse pikërisht në Gjakovë, Mimoza Kusari-Lila, zgjodhi të nisë subjektin e ri politik?

“Zakonisht në Kosovë, kur ka nisur diçka, kanë pyetur a ka nis në Gjakovë? Jo! E s’koka koha. E tash po dojmë me nisë në Gjakovë, se është koha”, tha me shaka të premten, për Gazetën Express, Mimoza Kusari-Lila, pak minuta pasi pranoi në grupimin e saj tetë asamblistët gjakovarë.

Megjithatë, edhe pse anëtarësoi grupin e parë të bashkëpartiakëve, dhe bashkë me ish-deputetin e LVV-së, Ilir Deda, janë bashkëthemelues të kësaj iniciative, ky subjekt i ri politik ende nuk ka një kryetar.

“Ne kemi hy grupi fillestar. Deri tek drejtuesi do të vijmë përmes përzgjedhjes, siç është përmendë më herët, sipas pranueshmërisë së individit. Cili ka pranueshmëri më të madhe në raport me opinionin dhe votuesit, në një procedurë të vlerësimit përmes anketimit dhe mandej ai vlerësim kthehet brenda në subjekt politik edhe vendoset sipas procedurës demokratike të brendshme për udhëheqësin e partisë”, tregoi kryetarja e Gjakovës.

Ajo nuk dha ndonjë emër tjetër se kush do të jetë pjesë e këtij organizimi të ri politik, të paralajmëruar disa muaj më parë, nga ish-zëvendëspresidentja e AKR-së dhe ish-deputeti i LVV-së, Ilir Deda.

“E tash këtu sa i përket nivelit qendror e kemi lënë që në ditët në vazhdim, në një prezantim më të gjerë. Dhe hapat e tjerë, do t’i bëjmë më ndryshe se partitë e tjera. Ne do ta fillojmë prej bazës pastaj dalim tek emrat”, tha Kusari-Lila për Gazetën Express.

Mimoza Kusari-Lila tregoi se ende s’e kanë vendosur se cili do të jetë emri përfundimtar i partisë, ndonëse kanë përafruar përzgjedhjen e tij.

“Emri nuk ka me qenë iniciativa e re. I kemi disa variante, po janë ngushtu tash mjaft shumë. Iniciativa e re nuk është emri përfundimtar i partisë”, sqaroi ajo.

Ndryshe, gjatë seancës së të premtes në Asamblenë Komunale në Gjakovë, gjashtë asamblistë të AKR-së dhe dy të koalicionit AAK-LDD, u rreshtuan në mbështetje të kësaj iniciative të re. Asamblistët në fjalë janë: Hasan Krasniqi, Mahmud Lila, Sevdije Haxhibeqiri, Vjollca Roka, Jeton Vorfi dhe Rina Domi nga AKR’ja. Gjithashtu, Mirdita Ademaj dhe Xhevat Zenelaj nga AAK-LDD.

Për këtë njoftoi vetë themeluesja e iniciativës, kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, përmes rrjetit social “Facebook”