Thaçi për 11 Shtatorin: Amerikanët, dhimbjen e kthyen në forcë për të luftuar terrorizmin

0
30

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se sulmet e 11 shtatorit ishin sulm ndaj botës së lirë demokratike dhe synonin të shkelnin mbi parimet dhe vlerat humane universale.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se në përvjetorin e 15-të të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ne jemi pranë popullit amerikan për të ndarë dhimbjen për humbjen e 3 mijë qytetarëve të pafajshëm, si dhe për të shprehur angazhimin tonë të palëkundur përkrah SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit.

Ja postimi i plotë:

Në përvjetorin e 15-të të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ne jemi pranë popullit mik amerikan për të ndarë me të dhimbjen për humbjen e mbi 3 mijë qytetarëve të pafajshëm, si dhe për të shprehur angazhimin tonë të palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit.

Po ashtu, shprehim respektin tonë për fuqinë e madhe shpirtërore të këtij kombi madhështor, i cili e përballoi këtë tragjedi me kurajë e fisnikëri, dhe dhimbjen e ktheu në forcë për të luftuar terrorizmin.

Ato akte mizore terroriste ishin sulm ndaj mbarë botës së lirë e demokratike që synonin të shkelnin mbi parimet dhe vlerat humane universale, të cilat ne i konsiderojmë të shenjta e të paprekshme, prandaj ne i jemi mirënjohës shtetit amerikan për udhëheqjen e luftës kundër terrorizmit botëror.

Në ato sulme humbën jetën edhe tre bashkëkombës tanë, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj, gjë që tregon se terrorizmi na kërcënon të gjithë e nuk njeh fe, racë apo komb. Prandaj, kjo ditë përkujtuese duhet të shërbejë gjithashtu edhe si një thirrje kundër dhunës, jotolerancës, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit. /Telegrafi/