Skandaloze, shoferët rrezikojnë fëmijët në zebra (VIDEO)

0
572

Tre fëmijë, nxënës të shkollës fillore “Ismail Qemajli” në Prishtinë, janë rrezikuar seriozisht, të martën pasdite, teksa janë kthyer në shtëpi. Ngasësit e makinave nuk i kanë respektuar të vegjlit, derisa këta të fundit po kalonin nëpër zebra, te rrethi që lidh rrugën B me atë Enver Maloku, transmeton Klan Kosova.

Në fillim shihen dy nga fëmijët, të cilëve një shofer i papërgjegjshëm, ngasës i një Opel Astra, nuk u jep përparësi, me gjithë që vogëlushet janë në mes të rrugës, në vija të bardha. Ngasësi me makinën e tij u kalon atyre para hundëve, në gjysmë metre largësi. Po këta fëmijë rrezikohen prapë, kur dalin në pjesën tjetër të rrugës, ku makinat lëvizin në kahjen e kundërt.

Tashti, këtyre u bashkohet edhe një nxënës i tretë, dhe kur të gjithë kalojnë më tepër se gjysmën e rrugës, gjithmonë në zebra, fare pranë tyre kalon një makinë e tipit Smart, duke i rrezikuar seriozisht ata, pasi edhe kjo, sikur e para më herët, u kalon fare pranë, duke mos u dhënë përparësi.

Ky rast sigurisht që duhet t’i shtyjë përgjegjësit e policisë, dhe ata të komunës, të bëjnë diçka për të garantuar siguri maksimale për nxënësit dhe fëmijët në komunikacion. E nuk do të ishte keq që ngasësit e dy makinave në fjalë të gjenden dhe të ndëshkohen mirë.