Isa Mustafa: Nuk ka zgjedhje të parakohshme!

0
110

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi kabineti qeveritar,  tashmë është plotësuar dhe po funksionon mjaft mirë. Mustafa është shprehur se nuk ka zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Kryeministri, më tej , duke pasur parasysh zërat kundër në LDK, siç është Vjosa Osmani, ka deklaruar se ndarjet dhe përçarjet nuk i bëjnë nder si dhe nuk ia rrisin gjasat për sukses askujt.

“Aktualisht jemi të fokusuar në realizimin e programit dhe prioriteteve qeverisëse, e në veçanti në avancimin e zhvillimit ekonomik, agjendën eurointegruese dhe fuqizimin e shtetit ligjor”, tha Mustafa.

“Megjithatë, mund të them se puna e anëtarëve të kabinetit do të vlerësohet në vazhdimësi dhe varësisht prej performancës së treguar do të vendoset për përbërjen e kabinetit qeveritar, deri në fund të mandatit, në vitin 2018”.

Kryeministri u shpreh se ekziston një performancë e mirë e kabinetit në përgjithësi dhe ministrave veç e veç.

“Nuk mund të bëj dallime tani, por me rëndësi është, që Qeveria ka arritur rezultate të konsiderueshme në të gjitha aspektet, në realizimin e prioriteteve kryesore të Qeverisë”, tha Mustafa në intervistën e  dhënë për gazetën Bota Sot.

“Si rezultat i kësaj, sot kemi rritje ekonomik rreth 4%, kemi avancuar në proceset eurointegruese, po zbatojmë MSA-në, kemi marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave, kemi fuqizuar shtetin ligjor, jemi anëtarësuar në UEFA, FIFA e organizata tjera ndërkombëtare, kemi progres në arsim, kulturë, shëndetësi e të gjitha fushat tjera”.

Duke folur për vrasjet e pasluftës, shumë nga të cilët ende mbesin të pazbuluara, kryeministri tha se Ministria e Drejtësisë, sipas akteve ligjore në fuqi në Kosovë dhe në përputhje me çdo standard demokratik, nuk është dikaster që zbardh vrasje, por është kompetente që të zhvillojë politika brenda fushës së saj, të përgjegjësisë duke mundësuar përgatitjen dhe zbatimin e legjislacionit në fushën e drejtësisë, zhvillon dhe zbaton politika për të siguruar qasje të drejtë dhe efektive në sistemin e drejtësisë për të gjithë, e aspekte të ngjashme.

“Janë organet kushtetuese, të pavarura nga organet e ekzekutivit, të cilat janë të ngarkuara që të merren me hetimin dhe zbardhjen e të gjitha krimeve, e të cilat duhet ta bëjnë punën e tyre në këtë drejtim”.

 

Action Coin