Shqiptarët sot bëjnë histori: për herë të parë në Europianin e Futbollit!

0
134

Nga Tirana, Mitrovica, Prishtina dhe në çdo qytet tjetër, shqiptarët janë organizuar të ndjekin kombëtaren në bare e sheshe, duke shpresuar për mrekullinë, ndërsa edhe qeveria e kuvendi e institucione të tjera, po marrin pushime të parakohshme, gjatë Europianit të parë të Shqipërisë

Tirana nuk i ngjan qytetit që është zakonisht kur luhen kampionate “Botërore” ose “Europiane”. Ne jemi mësuar me ngjyrat e shumta të ekipeve për të cilat bënim tifozllik të mbushnin rrugët dhe dyqanet. Fanellat e Gjermanisë, Italisë, Spanjës, Francës dhe flamuj të këtyre vendeve pushtonin lokalet. Tirana dje ishte vetëm e kuqe. Fanellat dhe flamujt që shiten janë vetëm të Shqipërisë. Grupet sociale të krijuara për të mbledhur tifozë të ekipeve të tjera në kampionatet e kaluara, kanë vendosur foto të mëdha të Shqipërisë.

Fëmijët në rrugë janë me bluza të Canës, Cikalleshit, Sadikut, Mavrajt, emrat e këtyre janë edhe më të lehtë për t’u mbajtur mend se Ozil, Rooney, Giround apo Iniesta. Ndërsa orë na ndajnë nga ndeshja më e rëndësishme që ka luajtur ndonjëherë Shqipëria, qytetet janë bërë gati të presin mijëra njerëz në rrugë për të festuar dhe ndjekur një shfaqe premierë. Njëmbëdhjetë djemtë që do veshin nesër trikot e stiluara enkas, kanë mbi supe përfaqësimin e një vendi që kurrë nuk e ka jetuar një kampionat si ky.

Me sytë në Francë

Ka muaj që në Shqipëri bëhen formacione, llogaritje, kalkulime dhe imagjinohen rezultate që do e ndihmonin kombëtaren të kalonte edhe një fazë tjetër. Pak njerëz nuk dinë se cili është formacioni i mundshëm. Pak njerëz kanë mbetur pa u përfshirë në debatin se kush duhet e kush nuk duhet të luajë. Shqipëria është një vend që e jeton futbollin. Qendrat e mëdha të basteve janë në çdo lagje, ekranet në çdo rrugë, kafenetë janë të gjitha të abonuara në programe që shfaqin kampionatet e Europës… Nëse ecën në rrugë në raste të ngjashme nuk mund të bësh shumë hapa pa dëgjuar komentin me zë të lartë të ndeshjes, ndeshjeve që luhen në atë moment.

Qenia e Shqipërisë në Europian e ka bërë edhe më të ndjeshme situatën. Lokalet janë bërë prej ditësh gati me ekrane të mëdha, qendrat e qyteteve po ashtu janë zënë prej ditësh. Punët janë lënë pas dore dhe njerëzit po bëhen gati për një muaj “pushimesh” futbolli. Një pjesë ndërkohë janë nisur për në Francë. Gimi Fjolla është një prej tyre. Një grup shokësh tifozë që udhëtojnë me makinë kamper deri në Lens ku do të jenë dëshmitarë live të një ndeshje historike për Shqipërinë. Të tjerë që kishin prenotuar prej kohësh udhëtimet kanë fluturuar nga Rinasi. “Janë mijëra që kanë dalë”, bëjnë me dije shërbimet kufitare, madje numri duket se barazohet me atë të fluksit të azilantëve një vit më parë që udhëtuan për arsye krejt të tjera. Për shqiptarët tifozë, kostot e gjithë kësaj nuk janë të pakta, por shumë po sakrifikojnë.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Shqipëria ka fatin të ketë tifozë nga shumë vende. Shqiptarët do të udhëtojnë nga SHBA e ndoshta edhe nga Australia për të mos humbur momentin, ndërkohë mijëra janë prej vendesh rreth e rrotull Francës.

Shqipëria, nga ana tjetër, ka më shumë edhe në fushën e lojës. Shqiptarët, lojtarët që flasin shqip si gjuhë të nënës, janë më të shumtët në numër në këtë Europian. 30 përfshi edhe djemtë që luajnë për Zvicrën kundër nesh nesër e që me siguri e bëjnë edhe më emocionale sfidën.

Parlamenti shtyn kalendarin

Reforma në Drejtësi është e rëndësishme, por ndërsa ecja para e saj ka ngecur, deputetët duket se kanë prioritet Europianin. Një pjesë e tyre me gjasë kanë udhëtuar që prej kësaj të enjteje, të tjerë do të jenë sot të ndjekin Shqipërinë kundër Zvicrës. Qeveria nga ana e saj njoftoi se dy ministra deri tani, pa llogaritur kryeministrin Edi Rama do të jenë në Europian por me paret e tyre. Edhe institucione të tjera duket se kanë përshtatur agjendat dhe përshtatur me ndeshjet e Europianit. Zyrtarisht ndërkohë pak e pranojnë, të frikësuar se do të gjykohen për shpenzimet, se kanë udhëtuar në Francë.

Opozita ndërkohë nuk ka pritur shumë për të denoncuar si abuzim parash e shpenzim jo transparent udhëtimin e ministrave. Që kjo mund të përdoret në luftën politike tregon se sa shumë rëndësi marrin këto tri ndeshje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Duke filluar nga dje, madje Presidenti i Republikës Bujar Nishani u përfshi sërish në replika me kryebashkiakun Erion Veliaj, në atë që një media e cilësoi hakmarrje të këtij të fundit ndaj Nishanit, që u ankua se vendosja “Fan Zonë” në sheshin Nënë Tereza po e shqetësonte me zhurmë. Sigurisht, kjo përpjekje me nxjerrë politikë nga ky moment dëfrimi është grotesku që nuk mund t’i shmanget një vend kaq i polarizuar. Kryeministri vetë ka bërë traditë të shfaqë ndeshjet në sheshin ngjitur me godinën e qeverisë, e cila po përpiqet ta kthejë eventin edhe në një rast PR. “Fusha e gjelbër e Kryeministrisë është në dispozicion të kujtdo që dëshiron të shohë live Euro2016-n”, shkruan ai në postimin e shoqëruar edhe me një foto ilustruese. Posta e Shqipërisë ndërkohë për të shënjuar këtë ngjarje të rëndësishme, me datë 10 qershor ka emetuar pullën postare me tematiken “Shqipëria në Euro 2016”, e cila mbart një sërë elementesh kombëtare.

Veç për fitore

Goldman Sachs dhe jo vetëm kjo e fundit kanë publikuar koeficientet dhe shanset e secilit ekip. Asnjë prej këtyre sigurisht nuk e sheh Shqipërinë më shumë se sa në fundin e listës. Por shqiptarët tifozë nuk mërziten prej kësaj. “Zero për qind ishin edhe shanset e Skënderbeut kundër osmanve, por ia doli, pa ndihmën e bankave. Zero për qind ishin edhe shanset që Shqipnia të ishte e pavarun, por ia doli. 0 për qind ishin edhe shanset e Kosovës me u ba e pavarun por ia doli. Në fakt zero asht për qindja e intersit që ofron Goldman Sachs për shqiptarët”, shkruan me humor Astrit Cani, në një status në Facebook. Shqipëria nga ana e saj është një ekip që nuk duhet të vuajë presion në Europian.

“Jam shumë krenar që kam një grup lojtarësh që na dhuroi finalet e Europianit, pas një grupi kualifikues ku edhe më optimisti mendonte për vendin e katërt. Por, nuk u dorëzuam asnjëherë, besuam shumë edhe sepse fituam ndeshjen e parë në Portugali, kundër ekipit lider në grup dhe kjo na dha besim”, tha dje në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes Gianni de Biasi. Trajneri që ka bërë tashmë shumë me ekipin është i qartë se vendi nuk pa pse vuan edhe nëse humb ndeshjet eliminatore. Shqiptarët mund ta quajnë fitore arritjen në fazën finale, diçka që shumë pak e kishin menduar duke llogaritur edhe grupin. E megjithatë, sot në 15:00, shumë do të duan të shohin atë kthesë të Bekim Balajt në ndeshjen me Portugalinë apo gjuajtjen e Lenjanit me Danimarkën. Erik Kantona, një prej emrave më të njohur të futbollit francez, po ashtu është pritur mirë, kur ka zhvlerësuar statistikat. “Shqipërisë i jepen 0% shanse për fitimin e Euro 2016! Është një idiotllëk, do doja të kapja ndokënd me shkelma. Si mund të mos ketë një skuadër asnjë shans për sukses? Po Greqia në vitin 2004? Danimarka 1992? Leister Siti këtë sezon? “Unë, Erik Kantona, jap verdiktin e parë si Komisioner i Vetëshpallur i Futbollit: Besoj se Shqipëria mund ta fitojë Europianin, ashtu si Islanda. “Futbolli nuk është veç numra, statistika. Futbolli është zemër, pasion, punë e talent. Është një ëndërr! Dhe ëndrrat shërbejnë për të realizuar të pamundurën”. “Futbolli nuk është veç numra, statistika. Futbolli është zemër, pasion, punë e talent. Është një ëndërr! Dhe ëndrrat shërbejnë për të realizuar të pamundurën”, tha Kantona në një intervistë.

Ndërkohë edhe pa shkuar deri këtu lojtarët në Francë kanë shënuar fitoret e para. Portali më i madh i statistikave dhe i vlerave të lojtarëve, Transfermarkt, ka shpallur listën e re këtë qershor, ku veç portierit Shehi dhe Odise Roshit, të gjithë lojtarët kanë vlera në rritje. Ndryshimi më i madh është ai i Elseid Hysaj, shkodrani është rritur me 3 milionë euro në vlerë transferimi edhe pse shumat që fliten për të janë më të mëdha. Rritje ka pasur edhe për Sokol Cikalleshin. Sulmuesi i Basaksehir tani kushton 2.8 milionë euro, i cili është lojtari i pestë më i shtrenjtë kuq e zi pas Hysaj, Xhaka, Berisha e Kaçe.

Lojtarët vetë janë përpjekur të frymëzojnë optimizëm. “Do i marrim gjërat me radhë – ndeshje pas ndeshje. Do të përqendrohemi fillimisht te përballja jonë e parë me Zvicrën, 4 ditë më vonë na pret Franca e më pas Rumania”, tha dje Lenjani. Më herët, Gashi, Kaçe, Basha, shfaqën të njëjtat tone qetësie dhe optimizmi, duke premtuar se mund të surprizojnë këdo. Pas tyre, fiksuar në ekrane në Tiranë, Prishtinë, Shkup, miliona shqiptarë do të mbajnë frymën për të shpërthyer…/Revista Mapo/