S’ka liberalizim për këtë verë

0
164

Kanë nisur të zbehen shpresat se liberalizmi i vizave për Kosovën, Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Turqinë, mund të ndodhe gjatë verës, ashtu siç ishte menduar fillimisht. Tani problemi qëndron tek shtetet anëtare, ku bëjnë pjesë edhe ato me peshë më të madhe, siç janë Franca e Gjermania, të cilat kërkojnë masa shtesë para se të merret vendimi për vizat.

Gjermania bllokoi përkrahjen për Gjeorgjinë, duke kërkuar sqarime shtesë në lidhje me veprimtarinë e grupeve kriminale gjeorgjiane në Gjermani, ndërsa Franca është e mendimit se heqja e vizave në këtë moment mund të shkaktojë lëshime në aspekt të sigurisë në dritë të kërcënimeve të freskëta terroriste.

Kështu, presidenca holandeze nuk ia doli të sigurojë përkrahjen e domosdoshme të shteteve për të proceduar tutje me çështje të liberalizimit të vizave që do duhej të vihej në agjendën e takimit të sotëm ministror i cili u mbajt ne Luksemburg.

Ministri holandez i migracionit, Klaas Dijkhof, pranoi se për shumë shtete, është gjithashtu e rëndësisë së veçantë hyrja ne fuqi e mekanizmit suopsenziv, sipas të cilit lehtësohet dhe përshpejtohet procedura për kthim të regjimit të vizave në rast të keqpërdorimeve.

Sipas tij, votimi për vizat do duhej të ndodhë vetëm pas hyrjes në fuqi të këtij mekanizmi. Ndërsa, ky mekanizëm do hidhet në votim në Parlamentin Evropian në korrik, pak para pushimeve verore.

Marrë parasysh të gjitha këto, para vjeshtës, çështja e vizave nuk mund të kthehet tek ministrat e brendshëm, të cilët japin vulën përfundimtare.

Ndryshe, ishte ky takimi ministror për të cilin pak javë më parë paralajmërohej agjenda ambicioze dhe mundësia edhe e votimit për heqje të vizave për katër shtete në pritje. /RTK/