Ky është formacioni që do të luajë Shqipëria kundër Zvicrës

0
93

Pavarësisht skema të provuara në këto ditë grumbullimi në Austri, Italia dhe së fundmi në Perros Guirec, duket se përzgjedhësi Gianni De Biasi do t’i kthehet formacionit të vjetër në sfidën me Zvicrën.

Në sfidën e parë europiane, porta do të mbrohet nga Ertrit Berisha, i cili vazhdon të mbetet numri 1 i Kombëtares shqiptare, raporton tch. Në mbrojtje do të jetë të përhershmit Elseid Hysaj, Lorik Cana, Mërgim Mavraj dhe Ansi Agolli, ndërkohë që në mesfushë pritet të ketë një ndryshim nga formacioni që zbriti në fushë ndaj Ukrainës.

Burim Kukeli, i cili për shkak të dëmtimit ishte në dyshim për të qenë në 23-she, ka arritur këto ditët e fundit t’ia mbushë mendjen trajnerit italian ta aktivizojë atë që nga minuta e parë në sfidën përballë Helvetikëve.

Përkrah tij në këtë repart pritet të jenë Taulant Xhaka dhe Amir Abrashi, ndërkohë që Ermir Lenjani dhe Odise Roshi do të furnizojnë nga krahët Armando Sadikun, autorin e golit të vetëm ndaj Ukrainës.

2 gola të shënuar në 2 ndeshje miqësore kanë bërë që elbasanasi ta fitojë vendin e titullarit në sfidën e 11 qershorit. Shqipëria luan ndeshjen e parë ndaj Zvicrës më 11 qershor në orën 15:00. Në Grupin A takimi i parë zhvillohet të premten mes Francës dhe Rumanisë.