Me çfarë reformash mund të zgjidhen problemet e Universitetit të Prishtinës

0
348

Milazim Krasniqi

Kriza e Universitetit Publik të Prishtinës vazhdon ngjashëm me një sëmundje kronike, e cila, në mungesë të trajtimit adekuat, nuk ka si shërohet, edhe nëse është e shërueshme. Ndërrimi i rektorëve e i dekanëve, qoftë me zgjedhje ose edhe me ndonjë rebelim parapolitik, si ai i vitit 2014, nuk ka ndikuar aspak në zbutjen e krizës (dhe as që ka shenja se do të zbutet). Nëse ndërrimet e stafeve menaxheriale nuk po arrijnë ta përmirësojnë gjendjen, i bie që kriza nuk është produkt i drejtpërdrejtë i menaxhimit. Më afërmendsh është që menaxhimi i tyre i pasuksesshëm është pasojë e strategjisë dhe politikave të gabueshme, që janë instaluar dhe e kanë degraduar punën e këtij universiteti.
Rektorët e decenies së fundit (Enver Hasani, Mujë Rugova, Ibrahim Gashi, Anton Berishaj, Ramadan Zejnullahu e Marjan Dema tash) e kanë pasur ekspertizën dhe përvojën formale për ta menaxhuar një universitet publik, por rezultatet e të gjithëve kanë qenë nën nivelin e ekspertizës dhe të përvojës së tyre. Bile, kriza është përthelluar nga njëri te tjetri, herë më shumë e herë më pak, por me tendencë të përhershme drejt rënies poshtë e më poshtë. (Pavarësisht raporteve të huaja, me të cilat shpeshherë manipulohet se gjoja ka ngritje, këtë rënie e përjetojnë përditë ata që punojnë në këtë universitet).

Si ndodhi degradimi i mësimdhënësve të UP-së

Logjikisht po i bie që me këtë tendencë të përthellimit të krizës dhe nëse kjo krizë nuk e ka shkakun kryesor te menaxhimi, kushdo që do ta marrë përgjegjësinë e menaxhimit të këtij universiteti, e ka të shënuar në ballë që do të dështojë. Shkaku kryesor i krizës kronike të Universitetit të Prishtinës nuk është administrimi, po në rend të parë është strategjia dhe politikat joadekuate akademike që aplikohen. Në fakt, në Universitetin e Prishtinës aplikohen politika akademike që ua zënë frymën kreativitetit dhe guximit akademik, punës hulumtuese empirike, veprimtarisë botuese kredibile, dialogut ndërmjet akademikëve. Fjala vjen, politika dominuese lidhur me veprimtarinë shkencore në këtë decenie ka kërkuar me ultimatum, që të gjithë mësimdhënësit të orientohen e t’i botojnë hulumtimet e tyre jashtë universitetit e jashtë vendit. Ky orientim, që të botohet jashtë vendit, ka ndikuar në përzgjedhjen e problemeve që hulumtohen nga mësimdhënësit e UP-së, duke i shkëputur nga problemet reale në shoqërinë, ekonominë dhe kulturën shqiptare. Kjo ka sjellë dy dëme paralele, e para, rritjen e shkallës së improvizimit të studiuesve, pra prirjen që të bëjnë punime sa për ta përmbushur kriterin që kërkohet për avancim dhe e dyta, e ka lënë vendin tonë pa përgjigje shkencore për shumë nga problemet konkrete me të cilat ballafaqohen shoqëria, ekonomia dhe kultura jonë. Rrjedhimisht, është favorizuar prirja për studime gjoja teorike, (këtu fillon manipulimi që sjellë si produkt final plagjiarizmin) duke e injoruar komponentin empirik të studimeve. Sipas kësaj strategjie e këtyre politikave utopike, i madh e i vogël na u dashka të jenë teoricienë të matshëm me më të famshmit e botës, të cilët duhet t’i konsultojnë/citojnë edhe për të ilustruar probleme e realitete krejtësisht të tjera nga ato që ata kanë studiuar. Ndërsa, si qershia mbi tortë, për verifikim ndihmuaka vetëm një “impact factor” e aspak impakti konkret në shoqërinë tonë. Sigurisht se kjo shkëputje nga problemet e shoqërisë, ekonomisë dhe kulturës sonë, ka shkaktuar degradimin intelektual të shumicës së mësimdhënësve të UP-së, madje deri në atë masë sa jo vetëm publiku i gjerë, po as komuniteti profesional nuk ua njeh punën e nuk ka ndonjë respekt të veçantë për ta. Rezulton që atë mendim që mësimdhënësit e UP-së e kanë pasur dhe për aq sa e kanë pasur, e kanë publikuar jashtë vendit, jashtë gjuhës sonë, jashtë shoqërisë sonë. Me ato kontribute të botuara në vende e gjuhë të tjera, (për aq sa kanë qenë kontribute reale) ata i kanë fituar me përparësi gradat dhe meqë i kanë me kontribute në gjuhë e vende të tjera, ata nuk kanë as lidhshmëri akademike e as emocionale me problemet vendore. Thënë më së thjeshti, nëse e marrim si kriter veprimtarinë e tyre hulumtuese të publikuar jashtë vendit e jashtë gjuhës sonë, këta mësimdhënës del se e kanë statusin si studiues ndërkombëtarë! Kontributet e tyre me hulumtime shkencore për shoqërinë e vendin janë minimale. Prandaj, edhe rëndësia e tyre në shoqëri është minimale.

Cilat janë përvojat në universitetet prestigjioze?

Po qe se shikohen praktikat e universiteteve të tjera në Evropë dhe në ShBA, (kam pasur fatin e mirë t’i vizitoj shumë prej tyre ndër decenie) jo vetëm orientimi për hulumtimet, po e gjithë strategjia e zhvillimit është krejt e kundërt me këtë politikë akademike të mbrapshtë që aplikohet në Universitetin e Prishtinës. Universitetet kudo bëjnë përpjekje që të lidhen sa më shumë me projekte hulumtuese me shoqërinë, ekonominë dhe kulturën e vendit ku ato universitete funksionojnë. Faktikisht, ato universitete janë në shërbim të drejtpërdrejtë të zgjidhjes së problemeve dhe të dinamizmit të zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe kulturor. Profesorët universitarë të atyre universiteteve janë aktivë në debate publike për ligjet, për reformat, për buxhetin, për politikat kulturore, për politikat sociale, për politikat ambientaliste etj. Madje ata ia japin edhe tonin debatit publik e mendimit intelektual. Thjesht, si edhe universitetet, mësimdhënësit janë pjesë përbërëse dhe aktive e shoqërisë dhe e shtetit ku jetojnë. Një shembull mbresëlënës në këtë mes është Universiteti i Lubjanës, i cili, në rangimet e Listës së Shangait, Tajmsit dhe Verbometriksit, radhitet në mesin e 500 universiteteve më të mira në botë. Ky universitet e ka të theksuar orientimin strategjik që ta forcojë identitetin nacional slloven, terminologjinë shkencore në gjuhën sllovene dhe të jetë subjekt aktiv në bashkëpunim me ekonominë e vendit, me qeverinë e deri me shoqërinë civile. (Sa për kuriozitet: Universiteti i Lubjanës me 40 000 studentë, ka 5 600 mësimdhënës e asistentë, ndërsa Universiteti i Prishtinës me rreth 60 000 studentë, ka vetëm 1 000 mësimdhënës e asistentë në marrëdhënie pune).
Ndërsa universitetet prestigjioze dhe globale shkojnë edhe më tej: studentët e vendeve të tjera që studiojnë në to, i nxisin për hulumtime të problemeve në vendet e tyre të origjinës me çfarë krijojnë një fond njohurish empirike për ato vende, të cilat pastaj janë edhe në dispozicion të institucioneve shtetërore dhe korporatave. Po përmend sa për kureshtje: Universiteti i Harvardit, me disa nga shkollat e veta (Kenedi me 48 % vijues/studiues të huaj, Shkolla Dubaj me të gjithë vijuesit/studiuesit nga Lindja e Mesme, programi Kokalis nga Evropa Juglindore) është lider në këtë drejtim. Pra, Harvardi merr trurin e studiuesve nga zonat e tjera dhe e shfrytëzon për studimin e problemeve të atyre zonave dhe ato rezultate i deponon në fondin e vet. Ndërsa Universiteti i Stenfordit me konceptin e universitetit global ka hapur universitete sipas modelit të vet në vende të tjera, në Korenë e Jugut, Arabinë Saudite etj).
I lidhur me qasjen absurde të stimulimit të botimit jashtë universitetit e jashtë vendit, në Universitetin e Prishtinës është edhe shkretimi i veprimtarisë botuese dhe aktiviteteve shkencore në UP. Meqë punimet kryesore profesorati detyrohet t’i botojë jashtë universitetit e jashtë vendit, atëherë për botim brenda, në revista me buxhet më se modest, mbeten “trohet”, pra ato që teprojnë, punimet më të parëndësishme e, mbase, edhe autorët më pak të rëndësishëm. Fare mirë ka mundur të ndiqet rruga tjetër: të forcohen revistat e UP-së, (do të mund të botoheshin edhe në dy gjuhë, shqip e anglisht) duke siguruar recensione për punimet e autorëve tanë nga ekspertë të jashtëm. Në atë mënyrë do të rritej prestigji i revistave tona dhe i UP-së si botues i tyre.
Problem më vete është buxheti për veprimtari hulumtuese në UP. Ndër vite ka pasur oscilime në politikat lidhur me sasinë e buxhetit që duhet të ndahet për këtë veprimtari. Ka vite kur në këtë zë buxhetor nuk është dhënë asnjë cent, ka pasur ndonjë vit, kur janë ndarë, (ndonëse nuk janë lejuar të shfrytëzohen!) deri në 100 000 euro në vit. Pra, një universitet që nuk ndan fare mjete për financimin e hulumtimeve të mësimdhënësve të vet, (edhe 100 000 euro janë kaq pak sa nuk mund të llogaritet si investim serioz në hulumtime) nuk ka si pret rezultate në hulumtim. E pra, asnjë rektor nuk mund ta ndryshojë këtë bilanc katastrofal, sepse as nuk e ka në dorë caktimin e buxhetit. Edhe po pati vullnet të mirë për financimin e projekteve hulumtuese, vullneti i tij varet nga humori i të dërguarve të ministrit të arsimit në Këshillin Drejtues. Në këtë fushë rektori i UP-së i ka duart e lidhura. E pasi që nuk ka as kompetencën minimale që t’i miratojë e financojë projektet hulumtuese, rektori nuk ka si të konsiderohen autoritet i respektuar nga profesorati në këtë sferë. Prandaj dhënia e më shumë kompetencave rektorit dhe senatit në fushën e financimit të hulumtimeve, do ta ndryshonte gjendjen.

Si duhet të bëhen ndryshimet?

Brenda kësaj krize të politikave akademike e kësaj katandisje të mendimit intelektual në UP është e pamundur të krijohet hierarkia e vlerave. Pse? Sepse në vend të meritokracisë akademike, imponohet lehtësisht mujsharia politike; në vend të moralitetit intelektual, imponohet dinakëria provinciale. Në këtë sfond, radhët e atyre rektorëve e dekanëve që zgjedhen e dështojnë mund të zgjaten edhe më shumë ndër vite. Kështu do të ndodhë nëse në Universitetin e Prishtinës nuk ndryshon strategjia dhe politikat e deritashme të falimentuara akademike. Pra, nëse nuk stimulohet e afirmohet dimensioni nacional dhe shoqëror i këtij universiteti dhe nëse hulumtimi i gjerë dhe dinamik nuk lidhet me problemet konkrete të shoqërisë, ekonomisë dhe kulturës sonë, në rend të parë. Shndërrimi i universitetit në një qendër të madhe të hulumtimeve do ta rriste edhe ndikimin e tij dhe të mësimdhënësve në shoqëri, do ta mbronte në mënyrë shumë efikase autonominë dhe do të krijonte imunitet në mesin e profesoratit për t’u mbrojtur me sukses nga mujsharia politike e provincial. Por, kjo do të thotë se duhet të bëhet rritje e shpejtë e stafit akademik me emra të rinj, për ta krijuar një komunitet që mund ta mbrojë autonominë e universitetit dhe ta reformojë, fjala vjen, sipas modelit slloven. Në atë rast do të ndodhte edhe stabilizimi i një sistemi të vlerave akademike, nën të cilin, kushdo që do të binte, do të konsiderohej përfitues dhe mashtrues. Pra, me këtë koncept, universiteti aftësohet ta mbajë e ta mbrojë veten, madje të ndikojë në transformimin e shoqërisë, duke përfshirë edhe politikën. Mund të jetë që pikërisht elitës politike nuk i konvenon transformimi i duhur i Universitetit të Prishtinës, sepse kështu si është, ata e kanë nën kontroll dhe e mbajnë nën kontroll si të duan. Ata mund të kënaqen me ndikimin që kanë në zgjedhjen e menaxhmentit, me ndikimin në tenderë e konkurse, por kur shfaqen krizat, ata i lajnë duart dhe thirren në pafajësi, si Pontie Pilati. Në fakt, ata e atakojnë autonominë e universitetit, jo pse ajo nuk është e shkruar në ligj e në statut. Ata e bëjnë këtë abuzim vetëm ngase komuniteti akademik, i degraduar, i defaktorizuar dhe i rralluar, nuk është i aftë të mbrohet nga presionet dhe nga abuzimet politike. Po qe se rezultatet e tyre shkencore do të ishin në konton e shoqërisë e të shtetit tonë, po qe se do të ishin edhe aktivë në dialogun shoqëror me qasje etike e kritike, elitat politike do t’ua kishin drojën profesorëve universitarë, e jo kështu si është tash, kur elitat politike ua fusin tmerrin në palcë profesorëve universitarë. Prandaj, fillimi i daljes nga kriza duhet të kërkohet në ndryshimin e politikave akademike neokoloniale, që i ka imponuar “filozofia e Daksnerit” dhe vorkshopet idioteske austriake, në të cilat është hartuar strategjia utopike jo për një universitet publik e nacional, po për një themelatë të tredhur.
8 qershor 2016

Action Coin