Demarkacioni drejt dështimit. Qeveria në “bllokadë”, PDK me disa plane!

0
80

Marrëveshja e nënshkruar me Malin e Zi, duket se do ta ketë shumë të vështirë që të kaloj në Kuvendin e Kosovës me 2/3. Gazeta Blic nga burime ka marrë vesh se koalicioni PDK- LDK nuk i ka votat për ta ratifikuar këtë marrëveshje, dhe kjo është arsyeja kryesore pse qeveria ende nuk po e procedon tutje në Kuvend.

“Koalicioni nuk i ka votat. Kjo është edhe arsyeja pse po zvarritet dërgimi i kësaj marrëveshjeje në Kuvend”, tha ky burim i Gazetës Blic.

Ndërkohë, zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se ende nuk e kanë të qartë kohën se kur këtë marrëveshje do ta dërgojnë në Kuvend.

Faton Abdullahu, këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i ka thënë Gazetës Blic se Qeveria nuk do të vonohet në këtë proces.

“Konkrete s’ka asgjë, por nuk do të vonohet, sepse është çështje me rëndësi pasi që lidhet edhe me liberalizimin e vizave” ka thënë Abdullahu, raporton gazetablic.com.

Në anën tjetër, sipas burimeve të Gazetës Blic, Kadri Veseli dhe disa nga njerëzit kyç të PDK-së kanë hezitime për procedimin në Kuvend të kësaj marrëveshjeje.

“Në PDK janë duke u diskutuar disa ide se si të dilet nga kjo situatë. Janë disa propozime, qoftë në formimin edhe të një komisioni të ri, apo në dërgimin eventual të kësaj çështjeje në arbitrazh. Në këtë formë se si është demarkacioni me gjithë këto kundërshtime, ka hezitime që të procedohet tutje”, tha ky burim.

Ndërkaq, edhe vetë Kadri Veseli në një deklaratë publike ka thënë se nuk do të ratifikohet kjo marrëveshje nëse do të ketë pakënaqësi te qytetarët.

Mirëpo, për dallim nga Veseli, Hashim Thaçi e Isa Mustafa janë shumë të vendosur që kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvend, ashtu siç është prezantuar nga Komisioni Shtëtror për përcaktimin e vijës kufitare./Gazeta Blic

Action Coin