Memushaj në formë, fiton pikë edhe në kombëtare

0
1272

Shkëputja nga kombëtarja dhe aktivizimi me Pescarën në ndeshjet Play Of të Serisë B, nuk e ka penalizuar aspak Ledian Memushajn për të qenë mes 23 emrave që do të udhëtojnë drejt Francës për finalet e Europianit. Përkundrazi, paraqitja e shkëlqyer e mesfushorit 29 vjecar në përballjen e parë me Novarën, i shtoi bonuset e vlonjtatit për të qenë pjesë e listës përfundimtare. Pescara fitoi 2-0 në fushën kundërshtare dhe tashmë pret e qetë ndeshjen e kthimit në shtëpi ku vështirë se do të gabojë. Mediat nga përtej Adriatikut, e kanë vlerësuar maksimalisht lojën e Memushajt, që në rolin e kapitenit, i krey më së miri detyrat e tij, madje edhe në një terren të vështirë ku lojtarët teknikë vuajnë për të treguar cilësitë e tyre.

Futbollisti kuqezi konsiderohet një luks për Serinë B, por tani ai është gati për të hedhur hapin e madh në elitën e futbollit italian, pasi Seria A mbetet ende një ëndërr e parealizuar për të.

Memushaj është bërë pjesë e kombëtares shqiptare që në vitin 2010, por vetëm gjatë eliminatoreve të fundit nën drejtimin e De Biasit mori më shumë rëndësi prania e tij te kuqezinjtë. Gjatë kësaj periudhë me përfaqësuesen Memushaj është aktivizuar në 13 ndeshje./SuperSport/