Ky është numri i kosovarëve të kthyer brenda katër muajve

0
141

Që nga janari i këtij viti e deri në fund të muajit prill, janë riatdhesuar gjithsej 4 mijë kosovarë, të cilët ia kishin mësyer vendeve evropiane dy vite më herët, kur Kosova u përballë më valën më të madhe të ikjes së qytetarëve nga vendi. Këtë e ka konfirmuar për Teleskopi.net, Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Edhe më tej është duke vazhduar riatdhesimi me një intensitet të madh, por pak a shumë është e njehtë më të vitit të kaluar. Prej muajit janar deri në fund të muajit prill numri i të kthyerve ka shkuar në 4 mijë, gjysma kanë qenë në mënyrë vullnetare, kurse pjesa tjetër me forcë”, tha Krasniqi.

Po ashtu, ai shtoi se që nga muaji janar i vitit të kaluar e deri më tash, numri i qytetarëve të kthyer ka shkuar në mbi 22 mijë. “Po thuajse për çdo muaj numri i të kthyerve shkon në 1 mijë”, shtoi Krasniqi.

Ndryshe, sipas disa hulumtimeve konsiderohet se numri i kosovarëve që lëshuan Kosovën në fundin e vitit 2014 dhe fillimin e vitit 2015 shkon në rreth 110 mijë.

Rikujtojmë se përfaqësuesit evropian disa herë kanë përsëritur se vendet e BE-së nuk u japin azil kosovarëve, pasi në Kosovë nuk ka luftë dhe këtu mund të jetohet.

Sipas tyre, sistemi i azilit në Bashkimin Evropian është i planifikuar për njerëz që vijnë nga zona të luftës, për njerëzit që vijnë nga vende ku ata janë të përndjekur dhe ku nuk mund të jetojnë.