Këshilli Opozitar: Më 9 maj në Shkup protestohet vetëm shqip dhe vetëm me flamur shqiptar

0
1208

Këshilli Opozitar i shqiptarëve të Maqedonisë, i cili është organizator i protestës së 9 majit, njofton se protesta e paralajmëruar do të jetë protestë shqiptare, me flamurë kombëtarë dhe nuk do të bashkohet me protesta të dikujt tjetër në Shkup.

“Ndonëse disa dashakeqë duan që zëri shqiptar të mos jehojë suksesshëm më 9 Maj, sepse kjo ua prish allishverishet me partnerët e tyre maqedonas, ne edhe një herë përsërisim se protesta e 9 Majit për Drejtësi, Dinjitet dhe Demokraci do të jetë zëri më i fuqishëm shqiptar i dëgjuar ndonjëherë në Shkupin dardan dhe, përmes tij, do të përçohet mesazhi se shqiptarët janë me Evropën dhe, së dyti, do të shtrohet pyetja se kush ishin tradhtarët dhe skenaristët e ngjarjes së Kumanovës, duke kërkuar drejtësi dhe dinjitet për shqiptarët.

Më 9 Maj protestohet vetëm shqip dhe vetëm me flamur shqiptar!”, ka komunikuar Këshilli Opozitar, transmeton TV Shenja.

Protesta që po organizon ky këshill në Shkup mbahet për të shënuar njëvjetorin e ngjarjeve të Kumanovës, ku mbetën të vrarë 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur shqiptar në Lagjen e Trimave. Gjithashtu, me marshin protestues do të shënohet edhe Dita e Evropës.