Mitrovicë: Fillon punën fabrika për prodhimin e mozaikut nga qelqi dhe kristali

0
1294
Kompania “Orient Kosova Sh.p.k”, ka inauguruar fabrikën për prodhimin e mozaikut nga qelqi dhe kristali. Në inaugurimin e fabrikës kanë marrë pjesë: Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Ministri i MPMS-së, Arban Abrashi, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Faruk Kosumi, bashkëpronar i kompanisë  ka njoftuar të pranishmit me punën e deritashme dhe investimet që ka bërë në këtë biznes prodhues.
“Kjo  fabrikë  e cila mirret me prodhimin e mozaikut nga qelqi dhe kristali aktualisht ka 30 punëtore femra ndërsa më vonë do të zgjerojmë  edhe kapacitetet prodhuese, andaj besoj që deri në fund të vitet numri i të punësuarve do të rritet deri në 100 punëtor.
Pronari Kosumi ka falënderuar edhe partneret e tij biznesor Mehmet Dobra dhe  biznesmenin  nga Turqia, Murat Sisman, për mbështetjen në finalizimin  e ndërtimit të kësaj fabrike.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri pasi i ka përgëzuar pronarët dhe punëtoret për fillimin e prodhimit ka thënë se kjo është një punë e mirë për familjen, qytetin dhe zhvillimin ekonomik.
“Ne si pushtet lokal po bëjmë gjithçka që është e mundur që të ndihmojmë zhvillimin e biznesit, hapjen e fabrikave prodhuese dhe punësimin e të rinjve. Kompania “Orient Kosova” ka bërë një punë të mirë për të zhvilluar biznesin e vet dhe ne do ta ndihmojmë në forma të ndryshme, dhe jo vetëm këtë por të gjitha ato kompani që dëshirojnë të investojnë në prodhim”, tha kryetari Bahtiri.
I pranishëm ishte edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka përgëzuar pronarët për hapjen e fabrikës duke thëne se ky investim në Mitrovicë tregon se në Kosovë ekziston një klimë e mirë për të investuar dhe se Kosova është një shtet i sigurtë.
Ne fund, te pranishmit kanë përcjellur nga afër punën që bëhet ne këtë fabrikë duke shëtitur në hapsirat e saj.