Haradinaj: Ne ofruam partneritet, jo shkrirje

0
80

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mohuar se koalicioni AAK – Nisma ka dëmtuar kauzën opozitare në vend.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” Haradinaj ka thënë se ky koalicion parazgjedhor ka fuqizuar opozitarizmin në vend.

Ai ka thënë se nuk po mund t’i kuptojë pse përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! japin deklarime se AAK-ja, duke synuar bajraktarizmin, dëmtoi opozitën e bashkuar.

Haradinaj ka bërë me dije se bashkëpunimi në mes të AAK-së dhe Nismës ka për qëllim shtimin e presionit ndaj pushtetit për t’ia kthyer mandatin qytetarit. “Ky koalicion është një vazhdim i një bashkëpunimi ekzistues, i cili është produkt i një rrugëtimi të deritashëm dhe i domosdoshmërisë si të jemi të bashkuar. Pra, nuk mendoj se ky bashkëpunim është ndonjë dëmtim, por ky është një hap përpara për ta fuqizuar opozitën në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka treguar se koalicioni me Nismën ka për synim ta vetëdijesojë secilin qytetar për gjendjen e rëndë në vend. “Ne jemi në rrugëtim e sipër për t’i rritur kundërshtimin dhe presionin për t’ia kthyer mandatin qytetarit. Pra, për ta vetëdijesuar secilin qytetar për gjendjen në vend. Ky është misioni ynë si parti politike opozitare dhe këtë po bëjmë”, është shprehur Haradinaj. Ai është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar edhe me Lëvizjen Vetëvendosje!, por mbi baza të partneritetit e jo në forma të llojit të shkrirjes së partisë.

Haradinaj ka pranuar se me këtë subjekt politik kanë dallime substanciale sa i përket ndërtimit të një qeverie në të ardhmen. “Ne e ruajmë një konsideratë për angazhimin e pakompromis edhe të Vetëvendosje!-s dhe të Nismës, por edhe të shoqërisë civile për t’i kundërshtuar marrëveshjet e rrezikshme, për ta kundërshtuar regjimin Mustafa – Thaçi dhe për t’ia kthyer mandatin qytetarit. Pra, ne mbesim në këtë partneritet. Sa i përket vizionit se si ta ndërtojmë qeverisjen në të ardhmen kemi dallime. Ato dallime janë substanciale dhe mbetet për t’u diskutuar. Ne jemi të gatshëm për t’i ridiskutuar ato dallime”, ka thënë Haradinaj. Ai ka treguar se më nuk është kërkesë e tij ta marrë postin e kryeministrit.

Sipas liderit të AAK-së, koalicioni me Nismën është një bosht fitues, i cili synon që Qeverinë e ardhshme ta bëjë pa njërën nga partitë në pushtet. “E kuptoj pyetjen tuaj, por ju po e shihni se ne po shkojmë për t’i fituar zgjedhjet, pra për ta ndërtuar Qeverinë pa njërën nga partitë në pushtet. Ne vërtet po shkojmë për një opsion fitues, pra nuk po shkojmë për një fitore të pjesshme, por për një fitore të plotë në zgjedhjet që vijnë”, ka thënë Haradinaj.