Shpend Ahmeti flet në tryezën e AAK-së për zhvillim ekonomik

0
85

Në konferencën “Alternativat e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës”, të organizuar nga AAK, panelist ishte edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai iu drejtua pjesëmarrësve edhe në cilësinë e Kryetarit të Komunës dhe në atë të përfaqësuesit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe tha se VETËVENDOSJE! e ka konceptin ekonomik dhe Alternativën Qeverisëse, parimet bazë të së cilën po implementohen edhe në qeverisje në Prishtinë.

Shpend Ahmeti tha se çështja ekonomike është punë e numrave dhe e matematikës. “Ne me këtë gjendje demografike që e kemi sot, diku 25 mijë na hyjnë në treg të punës në vit, që do të thotë se ose i mbushin 18 vjet dhe nuk shkojnë në fakultet, ose e kryejnë fakultetin e janë të papunë. Me këtë rritje 3-4% ne i krijojmë diku 15000-20000 vende të punës maksimum, që do të thotë se jemi më së paku 5000 vende pune në minus në vit”, tha Ahmeti, shkruan Telegrafi.

Prandaj, sipas tij Kosovës i duhet një rritje ekonomike diku 7-8% për 10 vite me radhë, për të përgjysmuar papunësinë që ekziston.

Më tutje Ahmeti tha se nuk mund të vazhdohet me konceptin e njejtë ekonomik siç ka qenë ky i 16 viteve të fundit, sepse kjo që na është servuar si ekonomi e tregut nuk ka sjell sukses. “Ne duhet ta mbrojmë tregun dhe prodhimin vendor”, tha Shpend Ahmeti duke e ilustruar këtë me faktin se si e rregullojnë balansin tregtar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Unionin Evropian, duke u kujdestar që në asnjë moment mos ta dëmtojnë prodhuesin e tyre. Ai tha se edhe tregtarët tanë duhet të edukohen që prodhimit vendor t’i jepet vendi i merituar në raftet e marketeve, sepse ky është proces zinxhiror; sa më shumë që shiten prodhimet vendore aq më shumë konsumatorët do të kenë fuqi blerëse, rrjedhimisht aq më shumë marketet do të kenë punë.

Sa i përket nivelit lokal, Kryetari i Prishtinës, shprehi habinë se si ky kryeministër e bllokon kryeqytetin në të njëjtën mënyrë sikurse që është bllokuar edhe në kohën kur ai ka qenë kryetar komune, pra për inate politike. Ai këtë e ilustroi me shembullin e bllokadës që po e bën ministri Avdullah Hoti, projektit të autobusëve të trafikut urban, me ç’rast qëllimisht nuk po e nënshkruan garancionin e sovranitetit për kredinë e BERZH-it që i është ndarë Komunës së Prishtinës. Shpend Ahmeti po ashtu tregoi se niveli lokal i ka kompetencat fare të vogla, prandaj bëri thirrje që të fillohet me një decentralizim, por jo me baza etnike, por me baza qytetare. /Telegrafi/