Mitrovicë: I vihet gurthemeli objektit për banim social në Stantërg

0
148

Në Stantërg të Mitrovicës sot është vënë gurthemeli për ndërtimin e objektit për banim social për familjet e lagjes Trepça të Stantërgut, donacion i Qeverisë së Kosovës në vlerë prej rreth 280 mijë euro, i cili pritet të përfundojë në fund të këtij viti.

Gurthemelin për ndërtimin e këtij objekti e kanë vënë kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, si dhe zëvendës ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati.

Kryeparlamentari Veseli tha me këtë rast se institucionet e vendit do të bëjnë të pamundurën që qytetarëve t’u krijohen kushte dinjitoze, në mënyrë që ata të ndjehen krenarë me shtetin e Kosovës.
Sipas tij, institucionet kanë obligim ndaj regjionit të Shalës, sepse ky regjion i ka dhënë shumë Kosovës.

Ai premtoi se kjo zonë së shpejti do të shndërrohet në atraksion turistik, por edhe ekonomik.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë për obligim dhe do ta bëjnë të pamundurën që të gjithë qytetarëve tonë t’u krijojmë kushte dinjitoze, që ta ndjejnë veten krenarë me shtetin dhe institucionet e veta. Vërtetë ky është një regjion që i ka dhënë shumë Kosovës, dhe ne kemi obligim shumë të madh për këtë regjion, për vetë faktin se këtu është pasuria më e madhe nëntokësore e Kosovës. Kjo zonë në të cilën ndodhemi këtu do të jetë zonë e veçantë në të cilën shumë shpejtë qeveria e Kosovës është duke përgatitur projektin për ta shpallur zonë të veçantë që do të jetë zonë e atraksionit turistik, por në të njëjtën kohë edhe ekonomik, dhe vërtetë kemi shumë obligime që gjithë këta njerëz dhe këtë rini ta punësojmë”, ka thënë Veseli.

Në lidhje me kthimin e shqiptarëve të veriut nëpër shtëpitë dhe banesat e tyre në atë pjesë të qytetit të Mitrovicës, Veseli tha se institucionet e Republikës së Kosovës me kapacitetet e veta kanë bërë aq sa kanë mundur për shqiptarët e veriut, ndonëse siç u shpreh ai, asnjëherë nuk është mjaftueshëm.

Sipas tij, ata po ballafaqohen me ndjekje dhe nuk po iu krijohet mundësia që të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.

Në anën tjetër, ministri i MPMS-së Arban Abrashi, u shpreh se institucionet e vendit nuk do të ndalen, por do të vazhdojnë me projekte të tilla për qytetarët edhe në të ardhmen.

Ndryshe, sipas projektit, ky objekt do të jetë pesëkatësh dhe do të ketë 17 banesa.

Action Coin