Mustafa: Kosova nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë e Serbisë

0
81

Kryeministri Isa Mustafa, ka thënë të martën se Kosova nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë pjesë e Serbisë.

Ai përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, theksoi se intensifikimi i skemave të retorikës nacionaliste të Serbisë karshi Kosovës nuk përbën asgjë të re.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

“Këto ditë kemi qenë dëshmitarë të intensifikimit të skemave të retorikës nacionaliste të Serbisë karshi Kosovës. Asgjë e re. Për fatin e tyre të keq, thjeshtë dhe vetëm retorikë boshe. Sepse, Kosova, kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë e Serbisë. Ajo është e qytetarëve të saj të lirë, të pavarur e sovranë. Që fatin e tyre e kanë lidhur me vlerat europiane perëndimore. Vlera që nuk pranojnë hegjemoninë. Por, vlera që promovojnë diversitetin.

Dallga e retorikës serbe karshi Kosovës do të kalojë. Qytetarët kosovarë të përkatësisë etnike serbe do ta kuptojnë se qëllimi i vërtetë i asaj retorike është gara e politikanëve të Serbisë për të përfituar sa më shumë vota prej tyre. E kur t’i marrin votat e tyre, ata do të detyrohen t’u thonë serbëve kosovarë se zgjidhjet për problemet e tyre duhet t’i kërkojnë në Prishtinë. Sepse ky do të jetë epilogu. Edhe i dialogut të Brukselit. Edhe i dialogut për përafrimin e Kosovës, por edhe Serbisë në Bashkimin Evropian.

Unë drejtoj një qeveri demokratike të një vendi demokratik. Qeveria që unë drejtoj nuk i pengon qytetarët e saj të shprehin vullnetin e tyre. Qoftë edhe duke hedhur vota për zgjedhjet e Serbisë nëpër qendrat grumbulluese të cilat do t’i menaxhoj OSBE. Përkundrazi. Ne do t’ua mundësojmë atyre ta shprehin atë vullnet. Por, pandërprerë, do t’u japim argumente atyre se e ardhmja e tyre nuk është retorika nacionaliste boshe. Mitet e rreme. Por, është jetesa në Kosovë, me fqinjët e tyre, me rregullat e shtetit të Kosovës, që janë rregulla evropiane të një vendi demokratik.

Jam i bindur se edhe ata vet, shumë shpejt do të binden për këtë. Dhe do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre të mos humbasin kohën duke shoqëruar mbledhësit e votave, por të punojnë fort aty ku janë dërguar, në Qeveri e në institucionet tjera të Republikës së Kosovës, për një të ardhme më të mirë për ta”.

Action Coin