Kush është Arben Berisha, që dëshmoi në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës?

0
113

Një person me emrin Arben Berisha, që nuk është i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, dëshmoi në gjykimin e Sekiraqës.

Trupi gjykues kërkoi ta dijë se pse pala mbrojtëse e ka thirrur këtë dëshmitar që e ka emrin dhe mbiemrin e njëjtë me Arben Berishën i cili është i dënuar për vrasjen e Triumf Rizës me 35 vjet burgim në një gjykim të mëhershëm.

Kosovare Kelmendi, mbrojtëse e Enver Sekiraqës, tha se në bazë të provave që ata kanë siguruar ka dalë se një numër i telefonit për të cilin prokuroria pretendon se ishte i kryerësit të veprës Arben Berisha dhe nga i cili sipas prokurorisë ishte kontaktuar një person i paidentifikuar, nuk ishte i të dënuarit për vrasjen e Rizës, por i dëshmitarit të sotëm që jeton në Ferizaj.

“Sipas prokurorisë pretendohet se një ditë para vrasjes së Triumf Rizës Arben Berisha i ka dërguar një personi të paidentifikuar një mesazh ku thuhej ‘hej njeri sonte s’ka kurrgjë’, nga kjo pretendohet se Arben Berisha e ka përcjellë Triumfin për ta vrarë. Ky numër nga viti 2006 ka qenë në përdorim të Arben Daut Berishës, ndërsa ka komunikuar me Driton Zefin nga Ferizaj që prokuroria e quan të paidentifikuar”, ishte sqarimi i Kelmendit.

Prokurori marrjen në pyetje të këtij dëshmitari e quajti të parëndësishme.

Arben Berisha duke iu përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues deklaroi se e ka njohur Enver Sekiraqën nga viti 2001 për shkak të raportit shitës-klient.

“Ka ardhë dhe ka ble dritare, dyer për ndërtesat e tij. Kemi pasë raporte të mira, sepse si unë si shitës, gjithmonë ia kam dërguar mallin me rregull ashtu edhe Enveri më ka paguar gjithmonë me rregull. Nga malli i dërguar Enveri më ka paguar diku reth 30-40 mijë euro”, tha dëshmitari.

I pyetur se në vitet 2006, 2007, 2008 cilin numër e ka poseduar dëshmitari, ai tha se i ka pasur dy numra, njëri nga të cilët ishte ai ku prokuroria mendon se i dënuari për vrasjen e Rizës e dërgoi mesazhin e tij.për të cilin dyshohet se është i kryerësit të vrasjes.

Dëshmitari i sotëm Arben Berisha u pyet se si e siguroi këtë numër. Dëshmitari nga Ferizaj tha se atë numër e mori nga Enver Sekiraqa.

“Jam shumë merak në numra të mirë të telefonit dhe tabela të veturës dhe i kam kërkuar Enverit të ma sigurojë një numër të mirë telefoni sepse është më mirë për biznes, ai më ka thënë merre numrin tim. Unë e kam pasur një borxh në PTK dhe nuk kam mundur ta regjistroj në emrin tim, për këtë unë e kam thirrë shokun tim që ta regjistrojë numrin në emrin e tij dhe ashtu ka ndodhur”, shtoi Berisha.

Berisha tha se më nuk e ka në posedim atë numër.

“Unë tash këtë numër nuk e kam, sepse edhe disa firma tjera kanë numra të telefonit afërsisht të njëjtë dhe bëheshin shumë thirrje gabimisht”, tha Arben Berisha.

Berisha gjithashtu pranoi se i ka dërguar mesazhin me përmbajtjen “hej njeri sonte s’ka kurrgjë” shokut të tij Driton Zefi, ashtu siç tha edhe avokatja Kosovare Kelmendi.

“Po unë e kam dërguar atë mesazh sepse ne jemi shokë dhe mund të shkruajmë gjithçka por nuk e di se çka më ka pyetur”, tha dëshmitari. /KALLXO.com/