Përralla moderne nga Kosova, vetëm për të rriturit

0
132

Ka kohë qysh se nuk shikoj televizor, nuk dëgjoj radio, konkretisht: programe lajmesh, dokumentare a debate dhe çuditërisht, kam filluar të ndjehem mirë me këtë gjendje. Fillimisht kjo nuk ishte një zgjedhje fort e vullnetshme, për të mos thënë ishte një ushtrim diktatorial force nga dy fëmijët e mi për të marrë një nga opsionet: o për të parë vetëm filma të vizatuar, o për të mos parë kurrë lajme, respektivisht muhabete koti të rriturish dhe rrëfime të gjata e të përsëritshme nga njëri stacion te tjetri (këto ishin debatet).  Ishin dy kundër një dhe s’kisha ç’të bëja tjetër përveçse të lëshoja udhë. Po bëhen veçse disa muaj, mbase gati një vit, dhe tash kam filluar t’i mësoj në detaje magjitë e vajzave Winks, transformimet e Ben Tenison Dhjetëshit, përpjekjet e Kirbit kundër Didisë nga Kompania e Përbindëshave, marifetet e mrekullishme të Tomit dhe Xherit, barsoletat koti të Zigut dhe zgjedhjen e mistereve dhe hopeve nga Marina e Astropeshku! Në përrallat e filmave të vizatuar gjithçka mund të ndodhë, nuk ka asgjë që nuk arsyetohet dhe, më e mira, aty imagjinata nuk ka fund!

Shkruan: Halil Ibrahimi

Fatkeqësisht gjatë kësaj periudhe zbulova se metodologjia e diskursit politik e publik në Kosovë e përdorë të njëjtin avaz të filmave vizatimorë: çdo gjë mund të ndodhë, realiteti përralliset me imagjinatë të pakufishme dhe mbi të gjitha gjithçka, përfshirë edhe të keqen këtu, mund të arsyetohet. Nganjëherë kur ngelem vetëm përpara televizorit edhe sot e kësaj dite dreqi ma qon dorën tek lajmet e programet e televizioneve kombëtare dhe bindja në këtë më rritet përherë e më shumë. Aty gjen lajme gjithfarëshe: filan këngëtarja ka mbetur shtatzënë, bebja e filan aktorit e mbushë pelenën sefte, foshnja mbretërore del jashtë spitalit për herë të parë, sot është ditëlindja e atij reperit, çfarë bën kjo këngëtarja paradite, si e kalon ajo tjetra pasditen! Më serioze se këto, në këto lajme, debate e dokumentare vjedhjet arsyetohen lirshëm, vrasjet justifikohen, mosmbajtja e fjalës bëhet virtyt dhe rrena kthehet në standard. Çudia është se askush më nuk çuditet! Në këtë mënyrë këto ditë më ra rasti të shoh të etiketohet vrasja e ndodhur në mes të ditës si e DYSHIMTË pa çka se e ka pranuar dorasi dhe e kanë parë me dhjetëra, dhe mbi të gjitha s’kisha si të mos stepesha nga arsyetimi i lirimit të këtij dorasi nga paraburgimi me arsyetimin se mjeku specialist ka konstatuar se DYSHOHET  se vrasja është kryer në kushte të tronditjes së rëndë. A mos vallë duhet të kryhet vrasja në kushte hareje, lumturie e gëzimi për tu mbajtur dikush në burg? Në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtin emision është e hatashme imagjinata në konstruktin e arsyetimeve për mbajtjen e mijëra eurove në frigorifer gjatë udhëtimit me autobus nga një person që do të duhej ta ndiqte vetë krimin. Fantazi që do ta lakmonin edhe shkrimtarët e bestsellerëve. Është e pështirë kur politikanët dhe të tjerët e kritikojnë njëri tjetrin vetëm për qëllime pushteti a nami, por kur e akuzojnë njëri tjetrin për gjërat që i bëjnë vetë, atëherë neveria nga ta, ta zë frymën!

Në portalet elektronike dhe gazetat e printuara të bezdisë dhe ta bën ditën ters edhe një fenomen tjetër gjithashtu me shumë sens përrallash. Parashtesat ‘Mr.sc.’, ‘Dr.sc.’, ‘Prof.dr.’ i sheh kudo në këto dy mediume dhe për më tepër se kaq i gjen edhe në fotografi, dyer banesash e ndoshta edhe epitafe varrezash. Nuk e di a je në jetën reale apo në përrallat me princesha, mbretër, sulltanë, lordë e magjistarë, kajmekamë e pashallarë ku titujt shpërndahen si sheqerka. Kjo është një nga shpërfaqjet më simptomatike që tregon se kjo shoqëri vuan nga formalizmat dhe mediokriteti. Mania për tituj të ngulfat në këtë shoqëri. Titulli më i gjatë që kam lexuar ndonjëherë në mediat elektronike ka qenë: “Dr.sc. Filan Fisteku, veteran i XXX-së, i njohur me nofkën Komandant X-i”. Ta merr mendja se bëhet fjalë për ndonjë lord nga Wellsi! Për digresion, duhet përmendur se tek këto nofkat e luftës është e madhërishme fantazia e figurave të përzgjedhura për identifikim e aq më tepër të magjepsë fakti se edhe ushtarët e thjeshtë kanë pasur nofka që fillojnë me titullin komandant. Si dashamirës i kafshëve dhe deri diku njohës i tyre dal shumë i vobektë karshi fantazisë së tyre për botën shtazore. Nga ky nënshkrim kupton gjithçka për filanin dhe nuk ke nevojë më as të lexosh biografi as ta kërkosh ndonjë detaj nga jeta e tij. Jo vetëm që mëson nga mënyra megalomane e nënshkrimit të njerëzve në media gjëra teknike si ato se kanë magjistruar, kanë doktoruar, apo se janë duke doktoruar me më të renë “kandidat për doktoraturë”, se kanë qenë aktivistë të kësaj apo asaj partie, se kanë qenë pjesëmarrës në luftë etj. por edhe e kupton filozofinë e të menduarit të njerëzve të tillë. Nuk do ta përmendnin profesorlllëkun apo luftën kot së koti po të mos kishin një mendësi prej mburraveci për të përfituar nga to, nuk do të tregonin se kanë këtë apo atë post po të mos iu shkonte mendja bile prej së largu se fjalët që i thonë  janë fjalë nga lartësia dhe jo grumbuj dosido dokrrash. Përdorimi i titujve të tillë aristokratikë edhe në statuse në Facebook mbase është kulmi i kësaj fabule!

E mira e filmave të vizatuar është se aty gati gjithmonë, si me automatizëm, ngadhënjen e mira, e keqja përherë është e destinuar që të dështojë dhe shpresa disi ngrihet fuqishëm midis mjerimit më të madh. Në përrallat e realitetit të Kosovës pothuajse ndodhë gjithçka kundër, cektësia mbizotëron, hajnia dhe e keqja përherë e mundin të varfrin dhe të mjerin, të dobëtit dënohen për shkak se kanë fshikulluar dikë me qime, kurse të mëdhenjtë e të fuqishmit edhe për vrasje dërgohen në pushime rehabilitimi! Vetëm sensin për fantazi e kanë të përbashkët këto dy botra. Midis përrallave për të vegjël dhe përrallave për të rritur, i zgjedhë të parat me shumë dëshirë, derisa dikush të mos më lajmërojë se aty ka ndryshuar diçka apo të kërkojë ndihmën time për t’i shpartalluar të dytat. Sepse, po e parafrazoj Robert Orbenin, ‘jashtëtokësorët ilegalë përherë kanë qenë problemi numër një i Kosovës; pyeteni secilin llapjan e drenicak dhe do t’ua thotë këtë’!