Qeveria dënon djegien e veturave, kërkon të hiqet dorë nga dhuna

0
323

Qeveria e Kosovës e ka dënuar djegien e veturave zyrtare mbrëmë në Gjilan, Ferizaj dhe Mitrovicë. Në reagimin e Qeverisë thuhet se sulmet e një nate më parë janë të drejtuara kundër shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj. Po ashtu ka bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe individëve të cilët mund të jenë të implikuar në këto akte, që të heqin dorë nga rruga e dhunës, transmeton Express.

Reagimi i plotë:

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër djegien një natë më parë të disa veturave zyrtare, në disa qytete të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës, këto akte kriminale, në dukje të koordinuara, i konsideron sulme të drejtuara kundër shtetit të Kosovës dhe institucioneve legale dhe legjitime të tij, veprime kundër stabilitetit dhe progresit të Kosovës në proceset zhvillimore e eurointegruese.

Qeveria e Republikës së Kosovës fton organet kompetente që të zbardhin këto ngjarje kriminale dhe të vënë para drejtësisë kryesit e tyre.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, i bën thirrje të gjitha subjekteve dhe individëve të cilët mund të jenë të implikuar në këto akte, që të heqin dorë nga rruga e dhunës dhe përpjekjet për realizim të synimeve politike përmes metodave anarkiste antishtetërore.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë për angazhim maksimal në avancimin e zhvillimit ekonomik e social, për integrime euroatlantike dhe për ndërtimin e shtetit ligjor në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”.