Hashim Thaçi: Këtë vonesë të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën e konsideroj provokim të rëndë

0
142

Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka akuzuar Bashkimin Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për kosovarët, që kjo e fundit nuk ka dhënë rekomandim pozitiv, sa i takon liberalizimit të vizave. Thaçi e ka quajtur provokim të rëndë duke vlerësuar se kjo mund ta rrezikoj edhe dialogun me Serbinë.

“Sot Këshilli i Bashkimit Evropian bëri publike konkluzionet e pakos së zgjerimit.

Përderisa i jemi mirënjohës BE-së për nënshkrimin e MSA-së, unë shpreh zhgënjimin e thellë për vonesat e pakuptimta të BE-së për liberalizimin e vizave. Këtë vonesë të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën e konsideroj provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të lidershipit në Bruksel. Për mua është marrëzi nga ana e BE-së, që të mbajë të izoluar kosovarët. Këto vonesa absurde dhe të qëllimshme, jo vetëm që nxisin ekstremizmin në vend, por e rrisin edhe frustrimin tek qytetarët e Kosovës.

Për më tepër, kjo qasje e BE-së është duke rrezikuar të gjitha proceset e rëndësishme në vend, përfshirë edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e marrëveshjeve dhe arritjen e marrëveshjeve të reja. Prandaj, konsideroj që BE-ja duhet t’i jap fund këtij trajtimi diskriminues kundër Kosovës dhe kështu të jap ndihmën e saj për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Përkundër kësaj, durimi i ynë do të jetë më i fuqishëm se paaftësia e Brukselit. Por, Kosova nuk guxon të diskriminohet edhe më tej vetëm për shkak se nuk është si Kolumbia dhe Ukraina. Good luck EU! HTH” ka shkruar Thaçi në facebook. /Ditori.com/