LDK: Ahmeti nuk po di kujt po i shërben, ka harruar Prishtinën

0
254

Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës përmes një komunikate ka akuzuar kryetarin e kryeqytetit, Shpend Ahmetit, për të cilën thotë se “i ka humbur busulla dhe dinjiteti qeverisës dhe se nuk po e di kujt po i shërben”. Në komunikatën e grupit të LDK-së në Prishtinë Ahmeti akuzohet se po i shërben zyrave të VV-së dhe nuk po merr pjesë në mbledhjet e Kuvendit të Prishtinës.

“Shpend Ahmetit i ka humbur busulla dhe dinjiteti qeverisës dhe nuk po e di se kujt po i shërben, zyrave të VV që po thërrasin për demonstrata të dhunshme në kryeqytet a komisarëve politikë që me direktiva nga lartë, s’po e lënë të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit të Prishtinës, edhe kur në rend dite është buxheti i propozuar nga ai vetë”, thuhet në komunikatën e grupit të LDK-së.

Sipas këtij grupi, Ahmeti është kryetar i dështuar dhe i kapur nga ideologjia me ultimatume të rrezikshme ndaj shtetit. “Në vend se të jetë pjesë e debatit për buxhetin e kryeqytetit, ai bëhet pjesë e konferencave të organizuara në rrugë, bëhet pjesë e një propagande kundër demokracisë dhe shtetit të Kosovës, si simbolika më e keqe e ikjes nga normat elementare të demokracisë dhe kërkesave për mirëqenie të qytetarëve të kryeqytetit”, thuhet në njoftimin e LDK-së në Prishtinë.

Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se aprovimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2016, jo vetëm që është obligim ligjor i Kuvendit të kryeqytetit, por ai duhet të jetë në favor të qytetarëve të kryeqytetit.

“Ishte për keqardhje, kur në kohën e debatit për buxhetin 2016, kur në sallë debatohej nga anëtarët e 6 partive politike, LDK, PDK, AKR, LIB, PD, PF, pikërisht për buxhetin, ishte kryetari i komunës Shpend Ahmeti, ai që po përpiqej të plasonte te mediat, në oborrin e komunës, kinse pamundësinë për të qëndruar në mbledhje, pa qenë fare në të”, vazhdon akuza e grupit të LDK-së.

Në fund, grupi i LDK-së thotë se Kuvendi do t’i aprovojë me votë parlamentare të gjitha pikat dhe politika që i ofrohen për debat dhe për aprovim në të mirë të qytetarëve të Prishtinës.

Action Coin