Vetëvendosje: Ne sot nuk e sulmuam kryeministrin

0
183

Planifikimi i sotëm për ta sulmuar veturën e kryeministrit të Republikës, Isa Mustafa, nuk po del të jetë e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, kështu të paktën thonë zyrtarë të kësaj partie.

Zëdhënësi, Frashër Krasniqi ka konfirmuar për “Zërin” se, LVV-ja nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim ndaj veturës së Mustafës, mirëpo janë në përkrahje të aksioneve paqësore kundër Qeverisë.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur plan për aksion sot. Pra ky nuk ka qenë organizim i LVV-së. Por, sidoqoftë, ne i mbështesim aksionet paqësore, civile, të kujtdo që është kundër “Zajednicës” dhe kësaj qeverie”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona të dyshuar kanë tentuar të ndalojnë ose sulmojnë eskortën e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.

Në njoftimin e Policisë thuhet se sot rreth orës 07:58, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, nga njësia policore e Mbrojtjes së Afërt dy personat e dyshuar kanë tentuar të “ndalojnë/sulmojnë” eskortën në lëvizje.

“Njësitë policore kanë intervenuar menjëherë dhe kanë parandaluar veprimin e personave të dyshuar, të cilët gjatë ikjes kanë lënë prapa tri qese të letrës në të cilat ka pasur mjete të forta, copëza metali të cilat shërbejnë për shpuarjen e gomave, si dhe një telefon celular”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Sa i përket lëvizjes se eskortës se Kryeministrit nuk ka pasur asnjë incident dhe e njëjta ka vazhduar lëvizjen pa probleme, ndërsa lidhur me rastin janë duke u kryer të gjitha veprimet e nevojshme policore”, ka njoftuar PK-ja.

Action Coin